Ndërlidhjet

Privatizohen edhe ndërmarrjet e komercializuara


Prishtina
Prishtina

Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit ka marrë vendim për privatizimin e ndërmarrjeve, të cilat u komercializuan në mes të viteve 2000-2003. Nga ndërmarrjet e komercializuara, aktualisht nëntë janë aktive dhe vazhdojnë përmbushjen e zotimeve sipas kontratës, vlerësojnë zyrtarë të AKP-së.


Ndërmarrjet shoqërore, të cilat u futën në procesin e komercializimit për shkak të rrethanave politike dhe juridike pas luftës në Kosovë, do të privatizohen menjëherë pas skadimit të afatit.

Zana Haxha, zëdhënëse në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, pohon se privatizimi i këtyre ndërmarrjeve është mënyrë më e favorshme.

“Secila prej ndërmarrjeve të komercializuara do të jetë subjekt i privatizimit. Privatizimi i tyre do të bëhet pas auditimeve që do t’iu bëhen këtyre ndërmarrjeve, ku do të verifikohen obligimet kontraktuale. Bordi i drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit më pas do të vendosë edhe për mënyrën e privatizimit të secilës ndërmarrje veçmas”, thotë Haxha.

Ajo konsideron se nëse dëshirohet një zhvillim dinamik afatgjatë, sigurisht që format e privatizimit do të jenë më të avancuara se format afatshkurtra, të ashtuquajtura të komercializimit.

Ndërkaq, kryetari i Institutit për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike, Isa Mulaj, thotë se në kohën kur ka filluar procesi i komercializimit, rrethanat ndërkombëtare juridike dhe politike nuk kanë lejuar që të fillojë procesi i privatizimit.

Por, tani, thotë zoti Mulaj, Qeveria duhet t'i mbështesë modalitetet e privatizimit të këtyre ndërmarrjeve.

“Privatizimi domosdoshmërisht është zgjidhje më e mirë sesa komercializimi dhe ajo kuptohet se do të ndodhë. Për këtë ka qenë i interesuar edhe UNMIK-u dhe tani bordi i AKP-së”, thotë Mulaj.

Ai pohon se ndërmarrjet e komercializuara që ishin paraprakisht në gjendje të mirë, kanë arritur të ruajnë një stabilitet gjatë kësaj kohe, por disa prej tyre, sipas tij, kanë pasur përkeqësim të perfomancës.

“Te ato ndërmarrje që kanë arritur të qëndrojnë në kushte më të mira ekonomike dhe financiare, siç është ndërmarrja ‘Sharrcem’ në Han të Elezit , privatizimi mund të bëhet me metodën e spin of-it special, ku AKP-ja do t’ia impononte blerësit të ri disa kushte, si mbajtjen ose punësimin e një numri të caktuar të punëtorëve dhe investimin e një shume të caktuar të mjeteve”, thotë Mulaj.

Megjithatë, ekspertë për çështje ekonomike i rekomandojnë Qeverisë së Kosovës që para se të kalohet në fazën e privatizimit të këtyre ndërmarrjeve, të bëhet një analizë, e cila do të tregojë për benefitet që kanë pasur këto ndërmarrje gjatë kësaj periudhe.

Puna e ndërmarrjeve të komercialzuara duhet t’i nënshtrohet një analize të mirëfilltë dhe në bazë të asaj analize, Qeveria e Kosovës duhet të shohë se cilat kanë qenë të hyrat në buxhetin e Kosovës, por edhe benefitet në aspektin mikro, sa i përket punësimit në ato rajone ku është kryer komercializimi i këtyre ndërmarrjeve”, thotë eksperti për çështje ekonomike, Flamur Keqa.

Afati i periudhës së komercializimit të ndërmarrjeve përfshin një periudhë deri dhjetëvjeçare. Këto ndërmarrje të komercializuara veprojnë në fusha të ndryshme, si në hoteleri, prodhimin e çimentos, prodhime nga betoni, përpunimin e frutave dhe perimeve, si dhe servisim e kontrollim teknik të automjeteve transportuese.
XS
SM
MD
LG