Ndërlidhjet

Çka tutje në Kroin e Vitakut?


Kroi i Vitakut
Kroi i Vitakut

Derisa serbët e lagjes Kroi i Vitakut në veri të Mitrovicës kanë filluar ndërtimin e pesë shtëpive, rindërtimi i shtëpive të banorëve shqiptarë të kësaj lagjeje pritet të vazhdojë në fund të kësaj jave. Autoritetet lokale në Mitrovicë, të cilat bazohen në kontaktet e UNMIK-ut me serbët, përjashtojnë incidente të reja për shkak të këtij procesi.


Punimet në rindërtimin e shtëpive të banorëve shqiptarë në lagjen Kroi i Vitakut në veri të Mitrovicës, pritet të vazhdojnë në fund të kësaj jave.

Kështu pohojnë zyrtarë të Komunës së Mitrovicës, të cilët thonë se ndërprerja e punimeve në kohët e fundit është bërë për shkak të disa zhvillimeve në këtë pjesë të vendit.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, thekson se rindërtimi i shtëpive të shqiptarëve do të vazhdojë pa leje speciale nga administrata e Kombeve të Bashkuara, bazuar në një marrëveshje me këtë mekanizëm, që daton nga muaji qershor, e cila, sipas tij, kërkon leje speciale vetëm për ndërtime të reja.

“Kjo është marrëveshje parimore dhe me gjasë do të fillojmë deri kah fundi i javës, derisa të konsolidohet kompania, e cila ka pasur probleme edhe për shkak të hetuesisë dhe për shkak të këtij rasti tragjik. Pra, duhen disa ditë derisa të kompletohen dhe të fillojnë punët”, tha Rexhepi.

Rindërtimi i shtëpive të shqiptarëve në veri të Mitrovicës kishte nxitur një varg protestash të banorëve serbë të kësaj pjese, të cilët kundërshtonin këtë proces.

Javën e kaluar, ndërkaq, përfaqësuesit e UNMIK-ut ua dhanë serbëve lejen e ndërtimit për pesë shtëpi të Kroit të Vitakut, në afërsi me të ashtuquajturën vijë ndarëse në mes të komunitetit shqiptar dhe atij serb.

Përfaqësuesi i serbëve të kësaj lagjeje, Sinisha Llaziq, thotë se po vazhdojnë punët në ndërtimin e këtyre pesë shtëpive, porse, siç pohon ai, kjo po ndodh në një atmosferë të tensionuar.

“Po punohet, janë ndërtuar themelet dhe punimet janë në proces”, tha Llaziq.

Ndërsa, Nikolla Jovanoviq, banor i Kroit të Vitakut, komenton zhvillimet në këtë pjesë të Mitrovicës dhe raportet aktuale ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve atje.

“Tash kanë shpërthyer disa incidente dhe raportet janë mjaft të dëmtuara. Ata (shqiptarët) ndryshe na shikojnë neve, e po ashtu ne ata. Nuk ka besim. Ata e kanë marrë tokën tonë dhe e kanë shpallur Kosovën të pavarur. Ky është Jerusalemi ynë dhe ne kurrë nuk do të pajtohemi me këtë”, u shpreh Jovanoviq.

Situata e krijuar për shkak të rindërtimit të shtëpive, sipas Rexhepit, do të tejkalohet me angazhimin e mekanizmave ndërkombëtarë.

“Ne shpresojmë se, më në fund, me angazhimin edhe të UNMIK-ut, edhe të EULEX-it, ata do të shkojnë kah normaliteti, kah sjellja normale, për arsye se ne absolutisht s’e pengojmë ndërtimin e kompanive serbe dhe ajo duhet të vlejë për të gjithë”, tha ai, duke theksuar se rolin kryesor në zgjidhjen e problemit me banorët serbë do ta ketë UNMIK-u, i cili është duke rritur rolin e tij politik në këtë pjesë të Kosovës.

Zëdhënësi i këtij misioni, Rasell Giki, sqaron:

“Ajo që bëjmë, është se flasim me të gjitha palët. Në disa raste ishte e paraparë që palët të ulen ballë për ballë, por ato nuk kanë bërë një gjë të tillë, por kanë shkuar përmes nesh. Ne sigurojmë qarkullimin e informatave, në mënyrë që të mos ketë keqkuptime, që ndërtimet të bëhen sipas rregullave dhe rregullativave dhe që ato të bëhen në një ambient sa më të qetë dhe të sigurt”, tha Giki.

Në lidhje me këtë, kreu i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, kërkon që serbët t’i respektojnë rregullat në procesin e rindërtimit të shtëpive në veri.

“Ne s’kemi për çfarë të merremi vesh me ta. Ne jemi për parime dhe asnjëherë nuk kemi qenë në favor për marrëveshje dhe kushtëzime”, u shpreh kreu i Komunës së Mitrovicës.
XS
SM
MD
LG