Ndërlidhjet

Brukseli mbështet "aranzhimet teknike" me Beogradin


Bruksel
Bruksel

Komiteti politik dhe i sigurisë i Bashkimit Evropian i ka dhënë mbështetje të plotë punës së misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, përfshirë këtu edhe aranzhimet teknike me Beogradin.




Komiteti politik dhe i sigurisë i Bashkimit Evropian i ka dhënë mbështetje të plotë punës së misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, përfshirë edhe aranzhimet teknike, si për shembull atë për bashkëpunim policor midis këtij misioni dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

Kështu i tha Radios Evropa e Lirë zëdhënësja e EULEX-it, Karin Limdal, e cila theksoi se në lidhje me këtë çështje do të vazhdojnë konsultimet me të gjitha palët e përfshira në proces.
Ambasadorët e Bashkimit Evropian mbështetën plotësisht punën e pranisë së BE-së në terren, atë të EULEX-it dhe të Përfaqësuesit Special të BE-së, përfshirë aranzhimet teknike me Beogradin.

“Ambasadorët e Bashkimit Evropian mbështetën plotësisht punën e pranisë së BE-së në terren, atë të EULEX-it dhe të Përfaqësuesit Special të BE-së, përfshirë aranzhimet teknike me Beogradin. Ky është një element krucial në luftimin e krimit të organizuar dhe do të jetë në benefit për të gjithë qytetarët e Kosovës. Konsultimet me të gjitha palët relevante në këtë proces do të vazhdojnë”, u shpreh Limdal.

Zyrtarë të Qeverisë së Serbisë kishin paralajmëruar, kohë më parë, nënshkrimin e të ashtuquajturit protokoll operativ me Policinë e EULEX-it. Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, kishte thënë se është përgatitur marrëveshja mes Serbisë dhe EULEX-it.

Prishtina zyrtare, e cila, edhe atëherë kishte kundërshtuar nënshkrimin e një marrëveshjeje të tillë, vazhdon të këmbëngulë në qëndrimin e saj. Zëdhënësi i Presidencës së Kosovës, Xhavit Beqiri, shpjegon:
Qëndrimi i institucioneve të Republikës së Kosovës është bërë i qartë. Ajo marrëveshje për Kosovën është e papranueshme...

Ne nuk prejudikojmë kurrfarë rezultati apo marrëveshjeje në mes të EULEX-it dhe palës serbe. Qëndrimi i institucioneve të Republikës së Kosovës është bërë i qartë. Ajo marrëveshje për Kosovën është e papranueshme”, tha Beqiri.

Ndërkohë, shefi i EULEX-it, Iv de Kermabo, përmes një deklarate për media të lëshuar kah mesi i muajit gusht, kishte thënë se nuk është e pazakontë për EULEX-in që të nënshkruajë marrëveshje me ministritë përkatëse të rajonit.

Marrëveshje të ngjashme të bashkëpunimit, sipas deklaratës, janë nënshkruar nga EULEX-i për shkëmbim të informacionit inteligjent financiar lidhur me shpëlarjen e parave dhe financimin e terrorizmit.

Mirëpo, sipas opozitës në Kosovë, aranzhimet teknike për bashkëpunim policor me Serbinë nuk dallojnë nga protokolli i paralajmëruar nga zyrtarët serbë. Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, thotë se arnazhime të tilla teknike lidhen dhe me planin 6-pikësh të Ban Ki Munit.
Ne e shohim si një kamuflim të EULEX-it, sepse ka të bëjë me protokollin, i cili është paralajmëruar...

“Ne e shohim si një kamuflim të EULEX-it, sepse ka të bëjë me protokollin, i cili është paralajmëruar, dhe formulimet politike që mund të bëhen, mund të jenë më të buta, por në esencë nuk dallojnë, sepse raportet teknike që mund të krijohen në mes të EULEX-it dhe Serbisë, dëmtojnë funksionimin e institucioneve të Kosovës”, tha ai.
XS
SM
MD
LG