Ndërlidhjet

A do ketë monitorim ndërkombëtar?



Me gjithë zotimet e Komisionit Qendror Zgjedhor se zgjedhjet e 15 nëntorit do të monitorohen nga organizata ndërkombëtare, ky mekanizëm ende nuk ka saktësuar se cilat do të jenë ato.

Fehmi Aajvazi, zëdhënës i KQZ-së, shpjegon për kontaktet që po bëhen për të siguruar pjesëmarrjen e vëzhguesve ndërkombëtarë në procesin e zgjedhjeve.

“Natyrisht që ekzistojnë kontakte. Komisioni Qendror Zgjedhor ka kontakte me disa organizata ndërkombëtare. Unë mund t’ju them që do të ketë vëzhgues edhe nga arena ndërkombëtare, nga vendet e jashtme. Ajo është një çështje, e cila është në traditën e proceseve demokratike të zgjedhjeve”, thotë Ajvazi.

Rëndësinë e vëzhgimit ndërkombëtar e pohojnë edhe analistët. Ilir Deda, nga Instituti KIPRED, thotë se në një situatë të tillë, kur, siç konsideron ai, ka humbur kredibiliteti në mbarëvajtjen e zgjedhjeve, monitorimi ndërkombëtar është më se i nevojshëm.

“Duhet të ketë monitorim të zgjedhjeve lokale nga organizatat e thirrura ndërkombëtare që ta bëjnë këtë punë. Kjo ka ndodhur edhe në zgjedhjet e mëhershme në Kosovë, e sidomos është e rëndësishme që kjo të ndodhë edhe më 15 nëntor, duke marrë parasysh mosbesimin që ekziston momentalisht për mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve, mosbesimin politik që ekziston në Kosovë”, vlerëson Deda.

Ai po ashtu thotë se institucionet e Kosovës duhet t’i bëjnë thirrje Këshillit të Evropës si dhe Parlamentit Evropian për monitorimin e zgjedhjeve të 15 nëntorit.

“OSBE-ja nuk do të mund t’i monitorojë zgjedhjet në Kosovë, sepse nuk do të marrë leja nga Serbia, Rusia dhe Spanja dhe vendet e tjera, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Kështu që ajo që mbetet, është të thërrasim Këshillin e Evropës dhe Parlamentin e Evropës që të dërgojnë nga një delegacion dhe të monitorojnë zgjedhjet më 15 nëntor”, thotë Deda.

Marrë parasysh kompetencat e shtuara të institucioneve të Republikës së Kosovës, këto zgjedhje thuhet se dallojnë nga proceset e kaluara, pasi që faktori ndërkombëtar tani kalon në vëzhgues, kurse faktori vendor ka përgjegjësinë e plotë për organizim dhe mbarëvajtje të procesit.

Zyrtarja për informim e OSBE-së, Edita Buqja, pohon se roli i OSBE-se në zgjedhjet lokale të nëntorit do të jetë vetëm në ndihmë teknike të KQZ-së.

OSBE do t’i ofrojë ndihmë teknike KQZ-së në organizimin e zgjedhjeve. Me ndihmë teknike kuptojmë frymën e këshillave dhe mbështetjes së KQZ-së dhe sekretariatit të saj në çështjet që lidhen me përgatitjen e zgjedhjeve. Gjithsesi, monitorimi i zgjedhjeve është i rëndësishëm në çdo vend dhe ndikon në kredibilitetin e zgjedhjeve”, shprehet Buqja.

Koalicioni “Demokracia dhe Integrimet”, i përbërë nga disa organizata joqeveritare, është bërë e ditur se do të jetë i vetmi koalicion i certifikuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor për monitorimin e zgjedhjeve lokale të 15 nëntorit. Ky koalicion ka premtuar monitorim objektiv të zgjedhjeve.
XS
SM
MD
LG