Ndërlidhjet

Paqartësitë rreth protokollit


Paqartësitë rreth nënshkrimit të protokollit për bashkëpunim policor ndërmjet misionit të Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit, EULEX, dhe Qeverisë se Serbisë, kanë filluar të kristalizohen, thonë analistët politikë. Sipas tyre, protokolli mund edhe te ndryshohet, për të siguruar bekimin e Prishtinës.


Qëndrimet dhe interesat e palëve për nënshkrimin e një protokolli të tillë, siç thonë ata, po marrin forma të qarta, ndërsa po dalin në pah edhe arsyet për kundërshtimin e deritashëm të institucioneve kosovare dhe kërkesat e tyre në këtë drejtim.

Analisti Ramush Tahiri thotë se, ndonëse për arsye të ndryshme, nënshkrimi i një marrëveshjeje të tillë do të ishte një ndihmesë, sikurse për EULEX-in, ashtu dhe për Serbinë.

Sipas tij, nënshkrimi i një protokolli të tillë hyn në kuadër të kritereve për liberalizim vizash me BE-në. Në anën tjetër, siç thotë ai, institucionet kosovare duan që të respektohet sovraniteti i shtetit.

“Nëse arrihet marrëveshja teknike, në të cilën e japin mendimin dhe pëlqimin paraprak institucionet e Kosovës se nuk prek sovranitetin, integritetin dhe nuk prek ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë, prapë është në rregull dhe e gjithë puna është që, megjithatë, të arrihet një marrëveshje që të mos bllokohet EULEX-i, por, gjithashtu, të mos bllokohen edhe institucionet e Kosovës”, u shpreh Tahiri.

Analisti Driton Lajçi, ndërkaq, nuk e përjashton mundësinë që protokolli të ndryshohet për të marrë pëlqimin e Prishtinës zyrtare.

“Do të ketë marrëveshje, a nënshkruhet a nuk nënshkruhet, është temë tjetër. Ajo është pjesë e modaliteteve që do t’i propozojë dhe do t’i gjejë EULEX-i, marrëveshje do të ketë, do të duhej të ketë në mes të këtyre tre aktorëve me rëndësi në Ballkan”, tha Lajci.

Për zotin Tahiri, janë dy opsione se si të dilet nga situata e krijuar nga kundërshtimi i Prishtinës zyrtare dhe këmbëngulja e Bashkimit Evropian në lidhje me protokollin për polici ndërmjet EULEX-it dhe Serbisë.

Njëra mundësi, sipas tij, është që fillimisht të arrihet një marrëveshje ndërmjet misionit për sundimin e ligjit të BE-së dhe Qeverisë së Serbisë, e më pas të shtohet edhe nënshkrimi i Kosovës si palë e tretë.

Ndërsa, për mundësinë tjetër, Tahiri thotë se: “Çështja duhet të zgjidhet, duhet një bashkëpunim në veri, për të gjitha çështjet, të cilat bisedohen ndërmjet dy shteteve se ai, megjithatë është kufi shtetëror”.

Ekzistimi i një presioni të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës për nënshkrimin e një protokolli të tillë është bërë i ditur edhe nga zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, mirëpo, pavarësisht mënyrave se si Brukseli do të veprojë në këtë drejtim, Driton Lajçi shpreh bindjen se marrëveshja do të arrihet.

“Është i mundshëm, është i domosdoshëm, madje, modifikimi i aktit, protokollit, aranzhmaneve, po e quajmë si të duash, me qëllim të avancimit të nivelit të pjesëmarrjes së Kosovës në këtë proces, me qëllim edhe të kënaqjes edhe interesit të Kosovës, përfaqësimit të saj dhe qetësimit të opinionit publik në Kosovë”, tha Lajçi.

Dilemave rreth nënshkrimit të protokolli në mes të EULEX-it dhe Beogradit zyrtar, u kishin paraprirë edhe paqartësitë rreth emërimit të protokollit, ndërsa mbetet e hapur çështja se a do të ndryshojë përmbajtja e, fillimisht protokollit, i cili pastaj u quajt aranzhim teknik.
XS
SM
MD
LG