Ndërlidhjet

Bien dërgesat e parave nga jashtë


Dërgesat e parave të emigrantëve, që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit të tyre, në gjysmën e parë të këtij viti, në Kosovë kanë shënuar rënie nga 5 - 8 për qind. Kjo rënie, sipas ekspertëve për çështje ekonomike, do të ketë tronditje në stabilitetin social të kosovarëve.

Ulja e investimeve nga ana e emigrantëve për shkak të reduktimit të të ardhurave të tyre nga kriza financiare, që po kalojnë vendet e Bashkimit Evropian, ku ata jetojnë dhe punojnë, sipas autoriteteve kosovare do të godasë më së shumti familjet e emigrantëve kosovarë, por duke mos anashkaluar këtu edhe ekonominë e vendit.

Në bazë të analizave të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila e bën kontrollimin e arritjes së dërgesave të parave nga jashtë, është vërejtur një rënie e këtyre dërgesave, krahasuar me vitet paraprake.

Drejtori i Drejtoratit për Marrëdhënie me Jashtë në Bankën Qendrore të Kosovës, Bujar Abdullahu, e shpjegon këtë dukuri.

“Në amplitudën e saj kanë një ngritje të vazhdueshme. Kështu, si shifër mund të përmendim vitin 2007, janë diku 517 milionë, më pas në vitin 2008 ka pasur një ngritje në 535 milionë, ndërsa në gjysmë e parë të vitit 2009 ka pasur një ulje, e kjo thuhet se është për shkak të krizës ekonomike globale. Kjo ulje, nëse shndërrohet në përqindje, është 5 deri në 8 për qind”,
sqaron ai.

Ekzistojnë disa forma të depërtimit të dërgesave të parave në Kosovë. Forma e direkte e depërtimit të këtyre dërgesave përmes bankave dhe institucioneve të certifikuara; forma e dytë është përmes kanaleve tjera indirekte, që janë evidente në Kosovë; dhe forma e tretë është ajo informale, e cila arrin në Kosovë në bazë të raporteve farefisnore, pra udhëtimit të kosovarëve brenda dhe jashtë vendit.

Nëse analizohen të gjitha këto, nënkryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, thotë se dërgesat e parave të emigrantëve kosovarë mund të kenë shënuar rënie edhe më të madhe.

“Po të jenë edhe 8 për qind, 9 apo 10 për qind është një shkallë, e cila e cenon situatën sociale në Kosovë, kur dihet fare që destinacioni kryesor i këtyre e remitancave në Kosovë ka pasur ndikim në qëndrueshmërinë sociale, sesa në zhvillim ekonomik, që është dallueshmëri nga format e remitancave që janë në formën evropiane apo amerikane, ku remitancat shfrytëzohen qoftë për zhvillim ekonomik apo implementim të projekteve. Ndryshe, remitancat në modelin amerikan janë ato që investohen në zhvillim ekonomik dhe atyre u jepet konotacioni inovativ për hulumtime të ndryshme”,
thotë ai.

Pasojat e rënies së dërgesave të parave në Kosovë, siç thekson zoti Gërxhaliu, janë duke u vërejtur në pjesën e dytë të këtij viti.

Ndërkohë, që dërgesat e parave kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë një ndihmë e madhe për ekonominë e Kosovës dhe për gjendjen sociale ekonomike të qytetarëve të Kosovës.

“Dihet fare mirë që çdo agregat ekonomik, apo nëse analizohet GDP-ja në Kosovë, indikatori kryesor që realizohet është konsumi, atëherë, me siguri se do të ketë pasoja. Është diçka që do ta tronditë stabilitetin social, por ndoshta pasojat nuk do të jenë aq fatale, kur më në fund nga vendet evropiane arrijnë sinjale pozitive për fillimin e rimëkëmbjes në ekonomi”,
pohon Gërxhaliu.

Edhe eksperti për çështje ekonomike, Muhamet Mustafa, mendon se rënia e dërgesave të parave të emigrantëve kosovarë ka një ndikim të madh në ekonominë e Kosovës, pasi që ato mjete, në GDP-në e Kosovës kanë një pjesëmarrje prej rreth 15 për qind.

“Çdo rënie e remitancave do të çrregullojë konsumin dhe përmbushjen e shumë nevojave të tjera. Në këtë mënyrë, ndikon dukshëm në rënien e fuqisë blerëse. Unë, personalisht, frikohem se kjo rënie është më e madhe sesa që e vlerëson Banka Qendrore, duke marrë parasysh problemet, me të cilat janë ballafaquar kosovarët, qoftë me humbjen e punës apo zvogëlimin e pagave”
, thekson Mustafa.

Sidoqoftë, ekspertët për çështje ekonomike, vlerësojnë se tani, pas periudhës së recesionit ekonomik, do të ishte e këshillueshme që Qeveria e Kosovës të shohë aspektet ekonomike dhe aspektet tjera të bashkëpunimit të saj me diasporën.
XS
SM
MD
LG