Ndërlidhjet

Mbetjet mortore të identifikuara ende në morg


Në morgun e Zyrës për persona të zhdukur dhe mjekësi ligjore në Prishtinë ekzistojnë mbi 150 mbetje mortore të identifikuara të personave të zhdukur, të cilat nuk janë marrë nga familjarët e tyre.


Mbi 150 mbetje mortore të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, janë të identifikuara shkencërisht, por ato po vazhdojnë të qëndrojnë ende në morgun e Zyrës për persona të zhdukur dhe mjekësi ligjore në Prishtinë, pavarësisht faktit se familjarët e tyre janë të njoftuar për gjetjet që janë bërë.

Kështu i tha “Radios Evropa e Lirë”, dr.Arsim Gërxhaliu, drejtor i kësaj zyre, duke sqaruar se këto mbetje mortore nuk hyjnë në numrin e 405 mbetjeve mortore, identifikimin e të cilave e kanë kërkuar gjashtë gratë e Shoqatës “Thirrjet e nënave” nga Gjakova, të cilat mbajtën grevë për 16 ditë.

Dr.Gërxhaliu ka bërë të ditur se për faktin që janë të identifikuara 150 mbetje mortore, kanë qenë në dijeni edhe institucionet kompetente vendore dhe ndërkombëtare, por kjo çështje nuk është përfolur për shkak të, siç tha ai, ndjeshmërisë së saj.

“Kjo është më se e vërtetë, që nga rasti i parë në vitin 2005 kur për herë të parë ndodhi që familjari të mos e pranojë rastin, edhe pse ishte identifikuar me analiza të ADN-së”.

“Në morgun tonë ndodhen edhe mbi 150 raste, të cilat nuk janë tërhequr nga familjarët. Janë të identifikuar dhe në bazë shkencore të analizave të ADN-së; rastet konkrete disa nga familjarët kanë shprehur dëshirë që ato të kompletohen, disa të tjerë presin që të rikthehet i tërë grupi i cili është marrë në të njëjtën kohë, por ka edhe raste, të cilat do të thotë familjari nuk e pranon, pavarësisht faktit se i afërmi i tyre është faktikisht i vdekur”,
thotë Gërxhaliu.

Dr.Gërxhaliu shtoi se të identifikuarit janë nga të gjitha rajonet e Kosovës. Por, sipas tij, një nga problemet e shfaqura, të cilat kanë shkaktuar konfuzion te familjarët e personave, mbetjet mortore të të cilëve janë identifikuar, është keqpërdorimi i tyre nga disa njerëz, që ai i quajti të pandërgjegjshëm.

“Sidomos, kemi probleme me disa familjarë, të cilët ende kanë komunikime me disa matrapazë apo të ashtuquajtur sekserë, të cilët e shfrytëzojnë këtë moment, këtë tragjedi të familjeve dhe ndërmjetësojnë ose janë në kontakt direkt me disa serbë nga Serbia dhe non-stop i ushqejnë familjarët me faktin se ata janë të gjallë, janë të burgosur në burgje të ndryshme etj. Apeli im është që, çdo rast, i cili është i identifikuar në baza shkencore, me analiza të ADN-së, të tërhiqet nga familja”, apelon Gërxhaliu.

Thirrje të ngjashme për familjarët e personave të zhdukur gjatë luftës, mbetjet mortore të të cilëve janë identifikuar, u ka bërë edhe Nysrete Kumnova, drejtuese e Shoqatës “Thirrjet e nënave”.

Ajo e quajti paradoksale sjelljen e familjarëve që nuk i kanë tërhequr mbetjet mortore të identifikuara, duke thënë se kishte qëndruar në grevë 16 ditë, me kushtin që të birit të saj të zhdukur t’i gjendet, siç tha ajo, fundja, vetëm një asht.

“Unë flas për vete dhe në emër të nënave greviste, nëse vetëm një gisht ia gjej djalit tim, Albionit, unë do ta marr dhe do të kthehem në shtëpi”.

“Thërrasim të gjithë familjarët që, nëse kanë njohuri se i afërmi i tyre është identifikuar dhe ende është në morgun e Prishtinës, iu kishim lutë që t’i tërheqin, t’i marrin, t’iu bëjnë rivarrimin dinjitoz, ashtu siç e meritojnë të gjithë martirët e kombit”,
thotë në mesazhin e saj zonja Kumnova.

Sidoqoftë, Zyra e personave të zhdukur dhe mjekësi ligjore, do t’ia dorëzojë një familjeje mbetjet mortore të familjarit të tyre, varri i të cilit ishte zbuluar pas 10 vjetësh.

Dr.Arsim Gërxhaliu ka apeluar te qytetarët e Kosovës që, në rast se kanë informata lidhur me ndonjë varrezë, qoftë individuale ose masive, t’i njoftojnë kompetentët.
XS
SM
MD
LG