Ndërlidhjet

Agjenda për operacionalizim


Gjatë ceremonisë, 18 shtator 2009
Gjatë ceremonisë, 18 shtator 2009

Autoritete vendore dhe ndërkombëtare në Prishtinë, e kanë quajtur hap të rëndësishëm për Kosovën arritjen e kapaciteteve të para operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Në ceremoninë zyrtare, me rastin e shënimit të këtij rezultati, mekanizmat përgjegjës u zotuan për arritjen, sa më parë, të kapaciteteve të plota vepruese të FSK-së.

Arritja e kapaciteteve të para operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës, është cilësuar si hap i rëndësishëm nga udhëheqësit e institucioneve të Kosovës dhe nga ata të misionit të NATO-s, në vend.

Në ceremoninë zyrtare, e cila u mbajt në Komandën e Forcave Tokësore të FSK-së, në Prishtinë, liderët kosovarë thanë se operacionalizimi i FSK-së dëshmon për, siç thuhet, përpjekjet që shteti i Kosovës ka në drejtim të arritjes së standardeve për integrim në NATO dhe në strukturat e tjera euro-atlantike.

Presidenti i Kosovës, njëherazi Komandant Suprem i FSK-së, Fatmir Sejdiu, e quajti një ndër rrëfimet më të mira për shtetin e Kosovës arritjen e kapaciteteve të para operacionale të FSK-së.

“Institucionet e Republikës së Kosovës po bëjnë përpjekje të gjithanshme që të arrijnë standardet e kërkuara për integrime euro-atlantike”.

“Pa dyshim se puna e deritashme për ndërtimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës është njëra ndër rrëfimet më të mira të suksesit të përgjithshëm që është arritur në Republikën e pavarur, sovrane dhe demokratike të Kosovës”,
tha presidenti Sejdiu, duke theksuar se arritja e kapaciteteve fillestare të FSK-së ka ardhur, ndër të tjera, si rezultat i mbështetjes së këtij procesi nga misioni i NATO-s në vend.

Komandanti i këtij misioni, gjenerali gjerman Markus Bentler, u zotua se synim i ardhëm i Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila aktualisht përbëhet nga rreth 1800 pjesëtarë, do të jetë arritja e kapaciteteve të plota operacionale.

“Kjo është një ditë festive. Ne kemi arritur shumë së bashku dhe do të vazhdojmë të ndjekim rrugën për të arritur plotësimin e kapaciteteve të plota. Ne jemi në rrugë të mirë”, deklaroi gjenerali Bentler.

Kapacitetet fillestare operacionale të FSK-së do të përqendrohen në mënjanimin e mjeteve shpërthyese, zjarrfikje, operim me materie të rrezikshme dhe kërkim-shpëtim.

Mirëpo, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, shprehu bindjen se operacionet e para të FSK-së fuqizojnë përpjekjet e Kosovës për, siç tha, jetësimin e parimeve të shtetësisë.

“Jetësimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës e kishte po këtë qëllim, që përmes profesionalizimit të kuadrove të saj të dëshmojë se siguria është, sa dëshirë, aq edhe brengë e të gjithë neve, pavarësisht përkatësisë kombëtare, fetare apo gjinore”, tha kryeministri Thaçi.

Ndërsa, ministri i FSK-së, Fehmi Mujota, bëri të ditur edhe agjendën e ardhshme të FSK-së.

“Infrastruktura dhe pajisjet, sipas standardeve të NATO-s, trajnimet e avancuara, profesionalizimi dhe arritja e kapaciteteve të plota, janë synimet tona sipas planit të veprimit plotësisht të koordinuar me agjendë të përbashkët të qeverisë dhe popullit të Kosovës me Aleancën Veri-atlantike dhe Bashkimin Evropian në rrugën drejt integrimeve”, tha Mujota.

Në fund të procesit të formimit, Forca e Sigurisë së Kosovës pritet të ketë 2.500 pjesëtarë të rregullt dhe 800 rezervë.

Deklarimi i NATO-s për arritjen e kapaciteteve fillestare operacionale të kësaj force u bë në fillim të kësaj jave.
XS
SM
MD
LG