Ndërlidhjet

Obama për çështjen izraelito-palestineze


Presidenti Barak Obama
Presidenti Barak Obama
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, u ka bërë thirrje liderëve izraelitë dhe palestinezë që të veprojnë me ndjenjën e urgjencës dhe t’i rifillojnë bisedimet paqësore, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, e cila do të përfshinte formimin e shtetit palestinez.

Obama i bëri këto komente në qytetin e Nju Jorkut, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku zhvilloi takime me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu, dhe presidentin palestinez, Mahmud Abas.

“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për paqe të përhershme dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme. Kjo përfshin zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez, që do të rezultojë me dy shtete, Izraelin dhe Palestinën, në të cilat populli izraelit dhe populli palestinez mund të jetojnë në paqe dhe siguri dhe t’i realizojnë aspiratat e tyre për jetë më të mirë të fëmijëve të tyre”, tha presidenti Obama.

Obama tha se u ka kërkuar izraelitëve dhe palestinezëve që t’i dërgojnë negociatorët e tyre javën e ardhshme në Uashington për bisedime të mëtejme.

Obama gjatë takimit me Netanjahun dhe Abasin...
“Mesazhi im për këta dy liderë është i qartë. Përkundër të gjitha pengesave, përkundër historisë, përkundër gjithë mosbesimit, ne duhet të gjejmë rrugën për të ecur përpara”.

“Duhet të mblidhemi dhe të kapërcejmë udhën pa krye, e cila ka lënë në vend gjenerata të tëra të izraelitëve dhe palestinezëve në një qerthull të pafund të konfliktit dhe vuajtjeve”,
tha presidenti amerikan, duke ritheksuar rëndësinë e zgjidhjes së problemit në Lindjen e Mesme.

“Është absolutisht kritike që kjo çështje të zgjidhet. Nuk është kritike vetëm për izraelitët dhe palestinezët, por është kritike për botën, është në interesin e Shteteve të Bashkuara. Dhe, ne do të punojmë aq sa të duhet për t’i arritur synimet tona”, deklaroi presidenti amerikan, Barak Obama.

Pas takimit, ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Ehud Barak, tha se të dyja palët mbajnë përgjegjësi për përpjekjet për të rifilluar negociatat.

“Mendoj se presidenti Obama ka gjykuar drejt që ulja bashkë e tre liderëve apo grupeve nga të dyja palët do të ndihmojë që të thyhet akulli dhe të rriten gjasat që ne vërtet ta gjejmë veten në negociata brenda disa javësh”, tha ministri izraelit, Barak.

Kryenegociatori palestinez, Saeb Ereket, i ripërsëriti kërkesat për pezullimin e të gjitha aktiviteteve të ndërtimit të vendbanimeve në Bregun Perëndimor.

“Askush në këtë takim trepalësh nuk ndjeu dhimbjen e ndërgjegjes për vuajtjet e palestinezëve apo të izraelitëve. Ne flasim për interesa dhe për rajonin, flasim për paqen dhe për kërkesat që të arrihet kjo paqe”, tha Ereket.

XS
SM
MD
LG