Ndërlidhjet

Autostrada brenda tri vjetësh?


Disa nga ekspertët e ndërtimtarisë në Kosovë janë skeptikë se autostrada Morinë-Merdare mund të realizohet brenda 36 muajve, ashtu siç parashikon Ministria e Transportit dhe Postë- Telekomunikacionit. Sipas tyre, Kosova ende nuk është e pajisur me mekanizma të duhur të ndërtimtarisë, që do të mundësonin realizmin e një projekti të tillë brenda periudhës tri vjeçare.

Ekspertët e ndërtimtarisë në Kosovë japin mendime të ndryshme për periudhën kohore, gjatë së cilës do të mund të realizohej ndërtimi i autostradës Morinë-Merdare dhe për vështirësitë që mund të dalin gjatë ekzekutimit të punimeve të këtij projekti.

Për prodekanin e Fakultetit të Ndërtimtarisë, Florin Grajçevcin, realizimi i autostradës brenda tri vjetësh do të ishte një synim real po qe se janë siguruar mjetet financiare.

Mirëpo, ai thotë se paraprakisht duhet të zgjidhen problemet pronësore.

“Problemet e ekzekutimit nuk duhet të jenë për tri vjet, shembulli më i mirë është autostrada e Shqipërisë, Durrës-Kukës-Morinë që brenda dy vjetësh u hapën 65 kilometra, duke përfshirë edhe segmentin e tuneleve. Edhe pjesa jonë ka tunele, po jo të natyrës si ato në Shqipëri, edhe formacionet shkëmbore janë më të buta”,
thotë ai.

Rrugët alternative deri në përfundimin e autostradës Morinë-Merdare, sipas prodekanit të Fakultetit të Ndërtimtarisë, Grajçevci, duhet të caktohen nga Shtimja deri në Qafë të Dulës, pasi që segmentet e autostradës shkojnë rreth trasesë së vjetër.

Pjesa tjetër, siç thekson ai, është trase e re, e cila duhet të hapet dhe nuk ka nevojë për rrugë alternative.

Ndërsa, inxhinieri i diplomuar i ndërtimtarisë, Selman Buçolli, nuk mendon se autostrada mund të ndërtohet brenda tri vjetësh.

Ai u sugjeron autoriteteve kosovare që t’i marrin parasysh të gjitha rrethanat teknike administrative në procesin e ndërtimit.

“Si kusht i parë, operativa ndërtimore e Kosovës në përgjithësi jo që nuk mund të bëjë apo të ndërtojë një rrugë të tillë, por nuk është e pajisur me mekanizma ndërtimorë ashtu siç kërkon kjo rrugë; me mekanizma të rëndë që duhet të posedojë një kompani me renome botërore”.

“Tjetër çështje administrative financiare paraqitet te shpronësimi i tokave, që shumica prej tyre janë private. Kjo tokë duhet të shpronësohet, varësisht nga ligji për shpronësim”,
tha ai

Edhe eksperti i ndërtimtarisë, Ferid Fazliu, thotë se duke pasur parasysh infrastrukturën rrugore dhe çështjet tjera që lidhen me autostradë, afati prej tri vjetësh është i shkurtër për realizimin e punimeve.

Vështirësitë kryesore dhe më sfiduese, siç pohon ai, mund të paraqiten gjatë tuneleve.

“Rreth tuneleve vështirësi ka për hir të asaj se kemi përvojë shumë të vogël. Ne kemi vetëm tunelet që janë punuar gjatë viteve të 60-ta, më vonë nuk kemi”.

“Por, tash kemi kompani që ka mekanizëm dhe që e ka lehtësuar punën e tuneleve. Mirëpo, qasja deri te tunelet duhet të bëhet me rrugë alternative. Këto duan para-projekt që, para se të fillohet, të ketë alternativa që të mos bllokohet komunikacioni
”, shprehet Fazliu.

Një problem tjetër që mund të paraqitet gjatë ekzekutimit të autostradës ka vërejtur inxhinieri i diplomuar i ndërtimtarisë, Selman Buçolli.

“Kur është fjala për mbistrukturë të kësaj autostrade, Kosova nuk është e pajisur me gurë adekuatë për përpunimin e asfaltit për shtresën e dytë, kështu që guri në këtë lloj rruge duhet të zgjidhet dhe t’i plotësojë kushtet dhe kriteret teknike”, thotë ai.

Mirëpo, ky konstatim hidhet poshtë nga Grajçevci, i cili vlerëson se kjo çështje mund të zgjidhet.

Janë 118 kilometra gjatësi e autostradës, kur këtë e shumëzon me një thellësi mesatare të shtresës së konstruksionit të rrugës apo shtresës së tamponit, dalin shifra të mëdha të sasive të nevojshme të gurit të thyer”.

“Janë edhe standardet që duhet të plotësohen për këtë lloj të natyrës së punës. Unë mendoj se ka kapacitete të sasive të gurëve dhe cilësi të gurëve Kosova ka mjaft, kurse kapacitetet impiante nevojitet të rriten”,
tha ai

Ndryshe, oferta për përzgjedhjen e fituesit të kompanisë për autostradën Morinë-Merdare është publikuar para disa ditëve.

Ndërkaq, 30 ditë pas ditës së publikimit pritet të shpallet fituesi i tenderit për ndërtimin e kësaj autostrade.
XS
SM
MD
LG