Ndërlidhjet

Irani teston raketa të reja


Iran - Teste me raketa me rreze të gjatë veprimi.
Iran - Teste me raketa me rreze të gjatë veprimi.

Irani sot testoi raketa me rreze të gjatë veprimi, për të cilat tha se mund të arrijnë në Izrael.

Garda elitare Revolucionare e Iranit tha sot se ka shkrepur dy lloje të raketave me rreze të gjatë veprimi, që të dyja me aftësi për të fluturuar rreth 2 mijë kilometra, sa mjafton për t’i goditur objektivat në Izrael apo bazat e Shteteve të Bashkuara në Gjirin Persik.

Garda Revolucionare shkrepi raketat Shahab-3 dhe gjithashtu raketën e re dyshkallëshe me karburant të ngurtë, Sexhil.

Më herët, komandanti i forcave ajrore të Gardës Revolucionare, gjenerali Hosein Salami, konfirmoi se testimi i raketës Shahab-3 u tregua i suksesshëm.

“Raketa tokë-tokë Shahab-3 u lansua me sukses në ditën e dytë të stërvitjeve, që u zhvilluan të dielën. Gjithashtu u lansuan raketa me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi”, tha Salami.

Ai nuk dha detaje për rezultatet e testimit të raketës Sexhil. Raketa dyshkallëshe është më e përparuar teknologjikisht dhe më e ndërlikuar se Shahab-3.

Raketa Sexhil përdor vetëm karburant të ngurtë, për të cilin ekspertët thonë se ndihmon në përmirësimin e saktësisë së goditjes.

Shahab-3
Testet e sotme dhe testet e djeshme të raketave me rreze të mesme veprimi edhe më shumë pritet t’i acarojnë tensionet e larta ndërmjet Iranit dhe disa vendeve perëndimore, të cilat janë të shqetësuara lidhur me zhvillimin e programit bërthamor të Iranit.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Hasan Kashkavi, tha se raketat janë testuar si pjesë e stërvitjeve, të cilat kanë për synim të përmirësojnë aftësinë mbrojtëse, dhe shtoi se nuk ka lidhje ndërmjet testeve raketore dhe programit bërthamor të Iranit.

“Qëllimi kryesor i testimit të raketave ka natyrë mbrojtëse. Ne kemi bërë përparim në teknologjinë e raketave, ndaj duhet të kryejmë teste të tilla, ashtu si vendet tjera”.

“Nuk ka lidhje ndërmjet manovrave raketore dhe aktiviteteve tona paqësore bërthamore. Kjo është një stërvitje ushtarake me natyrë mbrojtëse dhe nuk ka asnjë lidhje me programin bërthamor. Testet nuk janë asgjë e re”,
tha Kashkavi.

Testet e fundit u bënë në prag të 1 tetorit, ditës kur përfaqësues nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Rusia, Kina, Britania dhe Gjermania do të bisedojnë rreth hezitimit të Iranit për t’iu bindur rezolutave të Këshillit të Sigurimit dhe për të bashkëpunuar me bashkësinë ndërkombëtare për t’i zbuluar detajet e zhvillimit të programit të tij bërthamor.

Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Izraeli dhe të tjerët dyshojnë se programi bërthamor civil iranian është hapi i parë drejt zhvillimit të armëve bërthamore.

Teherani këmbëngul se programi bërthamor i tij ka për qëllim vetëm prodhimin e energjisë civile.
XS
SM
MD
LG