Ndërlidhjet

Kush përcakton fillimin e fushatës?


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Fillimi i së ashtuquajturës “fushatë para fushatës parazgjedhore” në Kosovë duket se ka krijuar paqartësi. KQZ thotë se përgjegjësinë për sanksionimin e saj e ka Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.



Pesëmbëdhjetë tetori është data kur në Kosovë zyrtarisht fillon fushata parazgjedhore për zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, por edhe 2 javë para kësaj date disa parti politike në vend kanë filluar aktivitetet mediale në këtë drejtim.

Vënia e panove dhe e bilbordeve partiake në rrugët e qyteteve të ndryshme në Kosovë dhe transmetimi i reklamave disa herë brenda ditës në televizionet lokale, duket se nuk pengohen nga askush.

Zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve thonë se përgjegjësinë kryesore për sanksionimin e aktiviteteve të tilla e ka Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, i cili, sipas tyre, pas funksionalizimit si institucion i pavarur, duhet ta trajtojë këtë çështje.

Nesrin Lushta
Kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, sqaron pikëpamjen e saj:

“KZAP-i është një institucion tërësisht i pavarur nga KQZ-ja. Përndryshe, do të ishte konflikt interesi po qe se KZAP-i do të ishte pjesë e KQZ-së. Andaj, sipas meje, KZAP-i duhet të merret me këto çështje”.


Zyrtarë të këtij mekanizmi, ndërkohë, nuk kanë mundur të kontaktohen gjatë ditës nga Radio Evropa e Lirë.

Mirëpo, ish-kryetari i KQZ-zë, Mazllum Baraliu, thotë së përveç Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, përgjegjësinë kryesore e ka KQZ-ja, përgjegjësi kjo e cila, sipas Baraliut, përcaktohet nga Ligji për zgjedhjet dhe nga një rregull i brendshëm i KQZ-së.

Baraliu thotë se KQZ-ja është përgjegjëse për kontrollimin dhe vendosjen e rregullave gjatë tërë procesit zgjedhor.
KZAP-i është organ i veçantë për këtë punë, mirëpo edhe KQZ-ja nuk mund ta amnistojë përgjegjësinë në asnjë mënyrë...

“KZAP-i është organ i veçantë për këtë punë, mirëpo edhe KQZ-ja nuk mund ta amnistojë përgjegjësinë në asnjë mënyrë. KQZ-ja është në mënyrë gjenerale përgjegjëse dhe ka përgjegjësi parësore, më shumë se KZAP-i, për tërë organizimin, funksionalizimin dhe, mbi të gjitha, ligjshmërinë e procesit zgjedhor”, deklaron Baraliu.

Paqartësitë në mes të institucioneve përgjegjëse në lidhje me sanksionimin e veprimeve para nisjes zyrtare të fushatës zgjedhore, sipas Baraliut, po shfrytëzohen nga partitë politike në Kosovë.

“Ato i gjejnë zbrazëtitë ligjore. Ndonjëherë mund t’i tejkalojnë, por unë i shoh ato bilborde dhe ato përpjekje që ata i bëjnë, për ta fuqizuar fushatën para fushatës”, thotë Baraliu.

Sipas Ligjit për zgjedhjet lokale në Republikën e Kosovës, të gjitha subjektet politike janë të lira për të bërë fushatë dhe marketing zgjedhor në media, përmes mbajtjes së ngjarjeve politike dhe duke botuar dhe shpërndarë materiale për fushatë në çfarëdo mënyre ligjore dhe në përputhje me rregullat e vendosura sipas legjislacionit të zbatueshëm.

Por, në pyetjen se kush i vendos këto rregulla, duket se ekziston një paqartësi e madhe ndërmjet vetë institucioneve relevante.
XS
SM
MD
LG