Ndërlidhjet

Mueller: Kurrë nuk kam ndryshuar qëndrimin për Kosovën


Herta Mueller
Herta Mueller

Herta Mueller, më 8 tetor, fitoi Çmimin Nobel për Letërsi. Në vitin 1999, Mueller, prindërit e së cilës vinin nga pakica gjermanofolëse në Rumani, ka folur për Radion Evropa e Lirë, për jetën nën diktaturën e Çausheskut dhe për luftën në Kosovë.


RADIO EVROPA E LIRË

Të gjitha novelat e juaja kanë diçka të përbashkët - të gjitha janë të vendosura në Rumani. Ky është një paradoks apo detaj, që është vërejtur edhe nga shtypi gjerman. A keni ndonjë shpjegim për këtë ndarje mes dy botëve?

HERTA MUELLER
Jo, kjo është diçka normale për mua. Jam lindur dhe rritur në Rumani. Kam jetuar atje deri në moshën 32-vjeçare. U largova nga Rumania në kohën kur mendimet e mia ishin ende të turbullta.

Librin tim të parë e kam shkruar në Rumani. Libri im i parë titullohej “Niederungen” dhe sjell këndvështrimet e një fëmije të rajonit nga vija. (Rajoni Banat gjendet në lindje të Rumanisë dhe flitet gjermanisht).

Në këtë libër dhe në ata që pasuan, temë qendrore ishte diktatura. Nuk dija asgjë tjetër nga bota. Nuk kisha parë asgjë tjetër në këtë botë. Kështu ndodhi që të vazhdoja me të njëjtën temë.

Besoj se kjo është një lloj letërsie që e gjen në gjithë botën, letërsia që lidhet me biografinë, që zhvillohet paralelisht me ngjarjet ekstreme, që ndodh paralelisht me kohën ku jeton autori.

Për shembull, në vitet e 50-ta, gulagu ishte i pranishëm në Evropën Lindore në forma të ndryshme. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për kampet e punës së detyruar.

Në letërsi gjen periudhën e nacional-socialistëve të Hitlerit, shkatërrimin e hebrenjve, tema që shumë autorë i kanë përshkruar në mënyrë paralele me biografitë e tyre. Besoj se kjo lloj letërsie ekziston kudo, nga Kina në Kubë.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, vendosja gjeografike e ngjarjeve nuk është elementi më i rëndësishëm për lexuesin?

HERTA MUELLER
Jo. Nuk mendoj se gjeografia apo vendngjarja është e rëndësishme. Vendngjarja apo mjedisi është element i nevojshëm, derisa unë personalisht nuk kam vend tjetër që njoh, përveç atij nga vij.

Karakteret e librave të mi pasqyrojnë çfarë u ndodh njerëzve në shoqëritë apo sistemet totalitare. Besoj se ky nuk është një subjekt që e zgjedh, por do të thosha është subjekti që jeta ka zgjedhur për mua.

Nuk e kam lirinë e zgjedhjes në këtë rast. Nuk mund të them se dua të shkruaj për atë apo për këtë temë. Jam e prangosur të shkruaj për ato që më shqetësojnë dhe për ato gjëra që nuk më lënë të jem në paqe.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni lindur në fillim të viteve ’50, në rajonin Banat, në jugperëndim të Rumanisë…

HERTA MUELLER
Saktësisht në vitin 1953, viti që vdiq Stalini… Më mirë të them, viti kur vdiq fizikisht, pasi idetë e tij jetuan ca më gjatë, apo jo...

RADIO EVROPA E LIRË
A janë ende gjallë sot ato ide?

HERTA MUELLER
Hmmm, po, besoj se janë ende gjallë. Së paku, te shumë njerëz. Mbase, pjesë të atyre ideve. Ndoshta nuk është gjallë e gjithë teoria e tij në formë të dukshme e të prekshme, siç ishte dekada më parë, por pjesë të atyre ideve - po.

Shumë nga gurët e atij mozaiku janë ende gjallë. Jam e sigurt për këtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni publikuar së fundi në “Der Spiegel” një artikull për Sllobodan Millosheviqin dhe Serbinë...

HERTA MUELLER
Nuk ishte artikull, por isha pyetur në mesin e shumë të tjerëve lidhur me luftën në Kosovë. Kam folur rreth saj edhe më parë, kam parasysh luftërat më të hershme, ato në Bosnjë e Kroaci.

Edhe atëherë isha në mbështetje të ndërhyrjes ndërkombëtare ushtarake, duke besuar qysh atëherë se Millosheviqi nuk tërhiqej. Millosheviqi duhej të ndalohej nga forca të jashtme. Të njëjtin mendim kam dhe tani për luftën në Kosovë.

Jam e zemëruar nga fakti se ky person ka ende mundësinë për të bërë një luftë të tretë, apo ndoshta të katërt, nëse do të llogarisnim dhe ngjarjet në Slloveni. Millosheviqi është personi që lë varreza të reja kudo ku shkon dhe që e çoi vendin e tij në një tjetër drejtim, të ndryshëm nga ai që mori Evropa lindore pas vitit 1989.

Mendoj se ka arritur pikën nga ku nuk ka më kthim pas. Ka humbur tri luftëra, por do që të fitojë këtë luftë të katërt në Kosovë. Ndoshta ka në listë dhe Malin e Zi pas Kosovës. Mbase, ky do të jetë hapi i radhës nëse nuk e ndalon dikush. Besoj se ai është në gjendje ta bëjë një gjë të tillë, pasi mendoj se është një stalinist.
XS
SM
MD
LG