Ndërlidhjet

Dënime me vdekje në Iran


Sipas njoftimeve, Mohamad Reza Ali Zamani, është dënuar me vdekje.
Sipas njoftimeve, Mohamad Reza Ali Zamani, është dënuar me vdekje.
Një zyrtar nga Ministria e Drejtësisë e Iranit tha se tre veta, që ishin arrestuar gjatë përleshjeve pas-zgjedhore, janë dënuar me vdekje.

Dënimet me vdekje kanë ngritur shqetësim në lidhje me fatin e reformatorëve, intelektualëve dhe aktivistëve tjerë, që qenë arrestuar gjatë protestave kundër rizgjedhjes së presidentit të Iranit, Mahmud Ahmadinexhad, në qershor.

Kreu i marrëdhënieve me publikun në Ministrinë e Drejtësisë të Iranit, Zahed Bashiri Rad, e bëri të ditur njoftimin në një intervistë për Agjencinë Studentore të Lajmeve në Iran - ISNA.

Vëzhguesit thonë se dënimet me vdekje duket të jenë pjesë e përpjekjeve të autoriteteve iraniane, për të krijuar frikë dhe për të heshtur lëvizjen e opozitës, që vazhdon të kundërshtojë rizgjedhjen e Ahmadinexhadit. Shumë iranianë besojnë se Ahmadinexhadi fitoi si pasojë e një mashtrimi masiv.


‘Lidhjet monarkiste’

Fatemeh Haghighatjo, një ish-ligjvënës reformist, i cili aktualisht bën punë kërkimore në Shtetet e Bashkuara, tha për Radion Evropa e Lirë, se dënimet me vdekje mund të sinjalizojnë dënime tjera më të rënda për të arrestuarit.

"Është e mundshme që ata të arrestojnë udhëheqësit e lëvizjes së opozitës", tha Haghighatjo.

Dënimet me vdekje për tre të akuzuarit janë të parat që janë shpallur. ISNA raportoi se 18 protestues të tjerë po ashtu janë dënuar, por nuk janë bërë të ditura detaje të tjera.

Tre të dënuarit me vdekje ishin akuzuar për lidhje me dy grupe në ekzil, që thuhet se duan të përmbysin organizimin islamik. Zëdhënësi Rad identifikoi inicialet e tre prej tyre: M.Z., A.P. dhe N.A.

Ai tha se dy nga të akuzuarit, M.Z. dhe A.P., janë dënuar për shkak të lidhjeve me grupin monarkist, Kuvendi Mbretëror i Iranit. I akuzuari i tretë, N.A., u tha të jetë anëtar i Organizatës së muxhahedinëve Khalq (MKO), e cila nga Irani konsiderohet si një organizatë terroriste.

Ndërkaq, një ueb-faqe e opozitës njoftoi se Mohamad Reza Ali Zamani, anëtar i Kuvendit Mbretëror të Iranit, është dënuar me varje. Nuk është qartësuar nëse Zamani është njëri nga tre të akuzuarit e përmendur nga Rad.


Thirrjet ndërkombëtare

Dënimi me vdekje i Zamanit ka shkaktuar shqetësim te ndërkombëtarët dhe është dënuar ashpër nga ta.

Organizata për të drejta, Amnesti Interneshënell (Amnesty International), tha se ekziston frika që dënimi për 37-vjeçarin Zamani të hapë rrugë për dënime të tjera me vdekje për ata që po gjykohen për vepra të ngjashme penale.

Amnesti Interneshënell i bëri thirrje Iranit që të shfuqizojë dënimin me vdekje, i cili thuhet se pason një gjyq që ishte ‘tallje e drejtësisë’.

Ndryshe, më shumë se 2.000 njerëz u arrestuan pas zgjedhjeve presidenciale të 12 qershorit. Shumë u liruan, por shumë të tjerë mbeten prapa hekurave.

Muajt e fundit, Irani ka nxjerrë para gjyqit mbi 100 figura kryesore reformiste, gazetarë dhe protestues. Një numër prej tyre raportohet të jenë torturuar. Ata po ashtu thuhet se janë detyruar të bëjnë pranime të rreme.

Këto gjykime janë dënuar ashpër nga grupet për të drejtat e njeriut, si dhe nga ana e reformatorëve. Ata i kanë konsideruar ato si gjyqe që synojnë legalizimin e presidentit Mahmud Ahmadinexhad.

Dënimet me vdekje për të arrestuarit gjatë trazirave pas-zgjedhore u bënë publike në Ditën Botërore Kundër Dënimit me Vdekje. Irani thuhet të ketë një nga normat më të larta të ekzekutimeve në botë.


(Video paraqet pamje nga njëra protestë e opozitës në Teheran, qershor 2009)


Musavi Supporters Protest In Tehran
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:42 0:00
XS
SM
MD
LG