Kthimi i gjykatësve vendorë në Gjykatën e Qarkut në veri të Mitrovicës do të jetë prioritet i misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë.
Këtë zotim e dha shefi i EULEX-it, Iv de Kermabo, gjatë një vizite që i bëri këtij institucioni, i cili që nga vendosja e gjykatësve evropianë, në muajin dhjetor të vitit të kaluar, vazhdon të funksionojë pa praninë e gjykatësve e prokurorëve kosovarë.
“Hapi i ardhshëm, shumë i rëndësishëm, është kthimi i gjykatësve dhe prokurorëve shqiptarë dhe serbë në këtë gjykatë. Jemi duke punuar intensivisht për këtë çështje”, u shpreh Kermabo.
Kohë më parë, në këtë gjykatë ishte rikthyer dhe stafi administrativ vendor, i përbërë nga shqiptarët dhe serbët e Kosovës, që kishin për detyrë kryerjen e inventarizimit të lëndëve që janë në pritje.
Ky inventarizim, sipas EULEX-it, është në përfundim e sipër dhe thuhet se deri më tash janë gjetur më se 3000 lëndë, të cilat janë organizuar, regjistruar dhe klasifikuar.
Sidoqoftë, rifunksionalizimi i tërësishëm i Gjykatës së Qarkut në veri, sipas EULEX-it, mund të bëhet vetëm pas rikthimit të gjykatësve e prokurorëve vendorë, meqë mandati i EULEX-it e përkufizon këtë mision si monitorues, mentorues dhe këshilldhënës për autoritetet vendore.
Në mungesë të tyre, gjykatësit dhe prokurorët e EULEX-it njoftohet se janë duke i trajtuar disa raste.
“Në mënyrë që drejtësia të funksionojë për të gjithë në pjesën veriore dhe në përputhje me ligjin, gjykatësit dhe prokurorët e EULEX-it janë duke i marrë disa lëndë urgjente nga juridiksioni i Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë".
"Këta hapa kanë për qëllim sigurimin e kthimit të sundimit të ligjit në gjithë Kosovën, duke përfshirë edhe pjesën veriore të Kosovës”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e lëshuar ditë më parë nga EULEX-i.
Numri një i këtij misioni, Iv de Kermabo, tha se për rikthimin e gjykatësve dhe prokurorëve shqiptarë e serbë duhet të binden Prishtina dhe Beogradi.
“Kjo nuk është vetëm një çështje teknike, por gjithashtu është çështje e të drejtave të njeriut. Ka njerëz që për një kohë të gjatë presin zhvillimin e disa gjykimeve dhe nuk mund t’i lëmë ata të presin më gjatë”.
“Duhet ta bindim Prishtinën, sikurse Beogradin, të lejojnë kthimin e këtyre njerëzve në punën e tyre”, theksoi ai.
Gjykata e Qarkut në veri të Mitrovicës ishte mbyllur pas incidenteve të dhunshme të marsit të 2008-ës në veri të Kosovës, të cilat patën bllokuar punën e këtij institucioni, që dikur funksiononte me rreth 170 punëtorë.
Që nga rifunksionalizimi i kësaj gjykate, bëhet e ditur se janë mbajtur tri gjykime, ndërsa gjykimi i katërt është duke vazhduar.