Ndërlidhjet

Kosova larg ekonomisë globale


Ekonomia e Kosovës, sipas ekspertëve të ekonomisë në Prishtinë, është shumë pak e integruar në ekonominë globale. Kjo, sipas tyre, ka bërë që Kosova ende të mos i ndiejë pasojat e krizës globale.



Ekspertë për çështje ekonomike thonë se përmbushja e standardeve për integrimin e ekonomisë kosovare në ekonominë botërore është duke shkuar me hapa mjaft të ngadalshëm.

Sipas tyre, Kosovës do t'i duhet edhe një periudhë relativisht e gjatë për të qenë pjesë e BE-së në aspektin ekonomik.

Eksperti për çështje ekonomike, Artan Loxha, thekson se kriza ekonomike globale ka treguar që Kosova nuk është e integruar në ekonominë globale, pasi që sektori financiar i Kosovës nuk ishte prekur nga kjo krizë.

“Njëra nga mësimet nga kriza ekonomike globale është që Kosova, duke mos qenë e integruar, sidomos në aspektin e integrimit financiar dhe investimeve në tregjet e kapitalit jashtë saj, ka treguar që Kosova financiarisht është pak e integruar”,
thotë ai.

Loxha, megjithatë, thekson se nëse shikohet deficiti tregtar, Kosova importon pjesën më të madhe të konsumit të brendshëm.

Kjo, sipas tij, tregon që Kosova në të njëjtën kohë është mjaft e integruar dhe mjaft e liberalizuar në disa fusha ekonomike.

“Kosova ekziston përbrenda një paradoksi të çuditshëm duke qenë një ekonomi e integruar në disa aspekte mjaft mirë me ekonominë globale”.

“Në të njëjtën kohë, është e paaftë që të zhvillojë një sektor të brendshëm dhe konkurrent industrial, në mënyrë që t’i rrisë eksportet e saj; po ashtu, në të njëjtën kohë duke pasur një sektor të brendshëm financiar mjaft të zhvilluar, por jo aq të zhvilluar me ekonominë globale dhe atë financiare”,
shpjegon Loxha.

Ndërkaq, Armend Muja, profesor në Institutin për Studime Ekonomike dhe Sociale “Universum”, thekson se Kosova me fuqinë e saj ekonomike është e vogël dhe nuk mund të pretendojë që të ketë integrim të shpejtë në ekonominë globale.

“Integrimi i ekonomisë kosovare në ekonominë e përgjithshme globale duhet të shihet në bazë të disa kategorive kryesore
”.

“E para është integrimi financiar, e dyta është lëvizja e fuqisë punëtore dhe e treta është lëvizja e kapitalit anasjelltas. Një faktor tjetër mjaft i rëndësishëm që buron si rezultat i këtyre janë investimet e jashtme, d.m.th kapitali i jashtëm të vijë në Kosovë”,
shprehet Muja.

Sistemi bankar i Kosovës sipas Mujës nuk mund të thuhet që është plotësisht i integruar në rrjedhat e ekonomisë globale.

Mirëpo, një vlerësim i tillë hidhet poshtë nga përfaqësuesit e Bankës Qendrore të Kosovës. Zëvendësguvernatori i BQK-së, Gani Gërguri, thotë se ekonomia e Kosovës në veçanti sistemi bankar, ka qëndruar i fortë karshi krizës ekonomike globale.

“Nuk do të thotë që jemi të izoluar, përkundrazi sektori ynë bankar është më i internacionalizuar ndoshta se çdo sektor tjetër i vendeve në regjion, apo në vendet më gjerë. Po shkalla e ekspozimit të këtij sektori, karshi natyrës së krizës ekonomike globale, është shumë e ulët”,
thotë Gërguri.

Edhe Komisioni Evropian në raportin e tij të fundit për progresin e arritur nga të gjitha vendet e Ballkanit drejt integrimit evropian, flet për pak progres në përmbushjen e kritereve ekonomike.
XS
SM
MD
LG