Ndërlidhjet

Përfaqësimi i Kosovës nga misionet ndërkombëtare


Veprimi i misioneve ndërkombëtare në Kosovë dhe përfaqësimi i Kosovës në skenën ndërkombëtare nga këto misione, vazhdon të jetë i komplikuar, thonë analistët politikë në Kosovë.


Bashkësia Ndërkombëtare ende nuk ka gjetur një formulë precize se si të veprojë në Kosovë dhe me Kosovën, thonë analistët për çështje politike në Prishtinë.

Ata mendojnë se që nga shpallja e pavarësisë së vendit, por edhe tash, ekziston një paqartësi në radhët e misioneve ndërkombëtare në Kosovë, në lidhje me përgjegjësitë e tyre brenda Kosovës dhe në përfaqësimin e vendit në arenën ndërkombëtare.

Analisti Behlul Beqaj thotë se përgjegjësitë e autoriteteve ndërkombëtare në Kosovë, jo rrallë, bien ndesh me njëra-tjetrën.

“Koncepti i menaxhimit të Bashkësisë Ndërkombëtare me Kosovën është shkaku kryesor pse në Kosovë objektivisht kemi mekanizma dhe instrumente të ndryshme të Bashkësisë Ndërkombëtare, të cilat në periudha dhe rrethana të caktuara, madje, veprojnë edhe në mënyrë kontradiktore”,
thotë Beqaj.

Aktualisht në Kosovë veprojnë dy mekanizma të Bashkimit Evropian, misioni i BE-së për sundimin e ligjit dhe Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë, Piter Feith, i cili njëkohësisht ushtron detyrën e shefit të Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë.

Mandati i këtij të fundit buron nga Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, i cili përbëhet nga vendet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, apo që e mbështesin Kosovën.

Ndërkaq, si Përfaqësues Special i BE-së, Feith përfaqëson edhe pesë shtete evropiane që nuk e kanë njohur ende Kosovën.

Beqaj thekson se obligimet, siç i quan ai, të dyfishta të Feithit komplikojnë situatën në Kosovë.

“Nëse po konstatohet, në njërën anë të analizës, që ka suksese impresive të Grupit Drejtues Ndërkombëtar, e, në anën tjetër, thuhet se BE-ja është e shqetësuar me kualitetin e qeverisjes - çka do të thotë kjo?! Do të thotë se ka qëndrime kontradiktore e të paqarta. Janë konfuzë në kërkesat e tyre dhe, thjesht, po abuzojnë me durimin e qytetarëve të Kosovës”,
thekson ai.

Së fundi është arritur një marrëveshje mes institucioneve të BE-së dhe autoriteteve italiane për të emëruar ambasadorin italian në Kosovë, Majkëll Gjifoni, në postin e emisarit të BE-së për veriun e Kosovës.

Analisti Shkëlzen Maliqi mendon se për shkak të sistemit, siç e quan ai, të komplikuar të vendimmarrjes në BE edhe sa i përket Kosovës, Bashkimi Evropian po përpiqet të gjejë modalitete për funksionalizmin e misioneve të tij në vend.

“Ky është vetëm një lehtësim i misionit të Piter Feithit, i cili paraqitet me këto dy role. Mendoj se për këtë, të gjithë faktorët relevantë janë të qartë. Ata thonë se Kosova do të mbetet unike, por se vetëm duhet të jepet kohë që serbët e Kosovës të integrohen ose, gradualisht, të pajtohen me këtë realitet të ri që është krijuar me shpalljen e pavarësisë së Kosovës”,
pohon Maliqi.

Veriu i Kosovës, ndërkaq, vazhdon të jetë zona kryesore e veprimit të misionit të rikonfiguruar të UNMIK-ut.

Roli politik, monitorues dhe raportues i këtij misioni, ia lejon UNMIK-ut ta përfaqësojë Kosovën edhe në organizatat, apo në marrëdhëniet me shtetet që nuk e njohin Kosovën, siç është Interpoli, pastaj marrëveshja e CEFTA-s dhe të tjera.

Mirëpo, ditë më parë, një delegacion i të ashtuquajturit Kuvend i Bashkësisë së Komunave të Kosovës, i dorëzoi presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, një peticion me më shumë se 48 mijë nënshkrime, me të cilin serbët e Kosovës kërkojnë largimin e misionit EULEX nga Kosova dhe kthimin e kompetencave tek UNMIK-u.

Kjo, sipas Maliqit, është një kërkesë e parealizueshme.

“Kjo edhe tregon pozitën duale të Bashkësisë Ndërkombëtare në Kosovë. Serbët kërkojnë diçka që është gati e pamundshme, pra që të kthehet misioni i UNMIK-ut, i cili praktikisht është rrudhur dhe është bërë krejt formal”.

“Kurse, institucionet e Kosovës kërkojnë që UNMIK-u të pushojë së ekzistuari, por në këtë moment kjo ende nuk është e mundshme”,
tha ai.

Më tepër qartësi rreth strukturës së misioneve ndërkombëtare brenda Kosovës dhe përgjegjësive të tyre jashtë vendit, sipas analistëve, do të sillte një mendim pozitiv për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.
XS
SM
MD
LG