Ndërlidhjet

Rreziqet përballë konsumatorit


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Zbatimi jo i plotë i Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit në Kosovë, ka bërë që tregu kosovar të jetë i furnizuar me produkte me afat të skaduar, thonë përfaqësues të organizatave që merren me mbrojtjen e konsumatorit.


Tregu kosovar është i furnizuar me produkte me afat të skaduar, thonë përfaqësues të organizatave që merren me mbrojtjen e konsumatorëve.
Udhëheqësi i organizatës joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, thotë se Ligji për mbrojtjen e konsumatorit në Kosovë nuk funksionon si duhet.

“Konsumatori kosovar është i mbrojtur aq sa funksionon ligji dhe aq sa zbatohet ligji. Ndërsa, Ligji për mbrojtjen e konsumatorit në Kosovë, e ka të njëjtin fat si edhe ligjet tjera që ne i njohim si ligjet që nuk kanë mekanizma të zbatimit”.


“Në Kosovë ka shumë artikuj e në veçanti artikuj ushqimorë që qarkullojnë në treg me afate të skaduara, meqë shumica e tyre janë pajisur me mjete digjitale për shtypjen ose rishtypjen laserike të afateve të qëndrueshmërisë”,
thotë Selatin Kaçaniku.

Konsumatorët e Kosovës, sipas Aleancës Kosovare të Biznesit, janë të pambrojtur.

Kryetari i kësaj aleance, Agim Shahini, thekson se mungesa e vetëdijes së qytetarëve për të drejtat e tyre në këtë çështje e bën situatën edhe më të vështirë.

Ai pohon se konsumatorët janë të rrezikuar nga produktet që nuk kalojnë nëpër pikat kufitare.

“Konsumatorët në Kosovë janë konsumatorët më të pambrojtur dhe qytetarët nuk i dinë të drejtat e veta. Ne e kemi Ligjin për të drejtën e konsumatorit, që 90 për qind e popullsisë nuk e di se ekziston ky ligj”,
thotë Shahini.

E drejta për t’i parashtruar ankesat e tyre në institucionet përgjegjëse të Kosovës, siç pohon Shahini, duhet të shfrytëzohet nga konsumatorët e produkteve të ndryshme që qarkullojnë në tregun kosovar.

Ai thotë se për çdo parregullsi duhet të ketë një adresë të qartë, e cila do të eliminonte, apo të ndihmonte në eliminimin e problemeve, siç është afati i skaduar i produkteve ushqimore.

“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë duhet të jetë më fleksibile që ta promovojë këtë ligj, vlerat e të drejtës së konsumatorit dhe konsumatori mos të heshtë”,
rekomandon Shahini.

Mirëpo, vetë përfaqësuesit e Departamentit për mbrojtjen e konsumatorëve në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë thonë se në Kosovë ka nevojë për fuqizimin e institucioneve që merren me mbrojtjen e konsumatorëve.

Përfaqësuesi i Zyrës për mbrojtjen e konsumatorit, nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, i cili është i vetmi person që merret me këtë çështje në ekzekutivin kosovar, Izer Arifi, mendon se ky departament duhet të zhvillohet në mënyrë që konsumatori të mund të jetë më i mbrojtur dhe kurse departamenti më fleksibil.

“Ne ende e kemi një zyrtar për mbrojtjen e konsumatorit, dhe ky departament, duke e marrë parasysh rëndësinë dhe peshën, duhet të zhvillohet dhe të jetë një Departament rregullator i tregut, ku do ta mbikëqyrë tregun edhe do t’i bëjë politikat për mbrojtjen e konsumatorit, gjithnjë në bashkëpunim me institucionet tjera, me asociacionet e biznesit dhe shoqatat për mbrojtjen e konsumatorit”,
u shpreh Arifi.

Ndryshe, angazhimi në mbrojtjen e konsumatorëve në Kosovë është kritikuar së fundi dhe nga Komisioni Evropian, i cili në raportin e progresit për Kosovën thekson se ka nevojë për angazhim më të fuqishëm institucional në këtë drejtim.
XS
SM
MD
LG