Ndërlidhjet

Presione ndaj serbëve që dalin në votime


Përfaqësuesit serbë të Kosovës qendrore i kanë kundërshtuar qëndrimet dhe kërkesat e Kuvendit të Komunave dhe Vendbanimeve Serbe, që subjektet politike serbe të tërhiqen nga zgjedhjet lokale të Kosovës.


Pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit nuk nënkupton shkelje të Kushtetutës së Serbisë.

Kështu thonë liderët serbë të Kosovës qendrore, duke reaguar ndaj qëndrimeve të përfaqësuesve të të ashtuquajturit Kuvend i Komunave dhe Vendbanimeve Serbe dhe theksojnë se ky kuvend është krejtësisht jokompetent për të dhënë kualifikime të tilla.

Petar Miletiq, sekretar i Partisë së Pavarur Liberale, thotë se qëndrimi tij dhe i partisë që përfaqëson, është se serbët e Kosovës duhet ta marrin vetë fatin në duart e veta dhe të vendosin për të.

“Në Kushtetutën e Serbisë nuk kam hasur askund të shkruhet se serbët nuk duhet të marrin pjesë në zgjedhje dhe në procesin zgjedhor në Kosovë, si dhe në institucionet e Kosovës”.

“Unë, thjesht, mendoj se kjo është një formë e presionit që disa liderë nga veriu i Kosovës po përpiqen t’ua imponojnë njerëzve që jetojnë në anën jugore të lumit Ibër, sepse kështu u është bërë shprehi”,
thotë Miletiq.

Ndërkaq, Momqilo Trajkoviq, nga Lëvizja e Rezistencës Serbe për pjesën qendrore të Kosovës, thotë se qëndrimi i përfaqësuesve të të ashtuquajturit Kuvend i Komunave dhe Vendbanimeve Serbe, është i kundërt me qëndrimin e shtetit të Serbisë.

“Qëndrimi i shtetit të Serbisë është se Kushtetuta nuk shkelet. Sa i përket pjesëmarrjes sonë në zgjedhje, kjo nuk nënkupton asgjë tjetër, përveç dëshirës që në jetën reale të krijohen kushte që serbët këtu të mbijetojnë. Ky është qëndrimi im dhe unë nuk konsideroj se kjo paraqet shkelje të Kushtetutës”,
pohon Trajkoviq.

Ndryshe, këta liderë serbë, kundërshtojnë kërkesën e përfaqësuesve të të ashtuquajturit Kuvend Serb, për tërheqje të listave të subjekteve politike serbe nga zgjedhjet.

Miletiq, thekson se partia e tij nuk do t’i kushtojë vëmendje kësaj kërkese dhe se ajo është e vendosur që të garojë për pjesëmarrje në institucionet kosovare.

“Qëndrimi ynë është i qartë. Ne kemi vendosur që të marrim pjesë në institucionet e Kosovës dhe në këtë mënyrë të kontribuojmë për një jetë më të mirë të bashkësisë serbe”,
thotë Miletiq.

Ndërsa, Trajkoviq shpreh qëndrimin se kërkesa e përfaqësuesve të të ashtuquajturit Kuvend i Komunave dhe Vendbanimeve Serbe, nuk do të merret parasysh.

“Unë mendoj se ata janë jokompetentë për të parashtruar kërkesa të tilla. Unë mund ta tërheq listën vetëm në qoftë se nuk krijohet ambient dhe kushte normale për zgjedhje demokratike
”, thekson Trajkoviq

Sidoqoftë, të dy këta liderë serbë vlerësojnë se nuk çon peshë dhe është e parëndësishme edhe kërkesa e të ashtuquajturit Kuvend i Komunave dhe Vendbanimeve Serbe ndaj shtetit të Serbisë, që si formë ndëshkimi, të ndërpresë mbështetjen financiare ndaj serbëve që do të marrin pjesë në zgjedhje dhe votime.

Ata theksuan se për ta është domethënës qëndrimi i zyrtarëve të lartë të Qeverisë së Serbisë, të cilët tashmë kanë deklaruar se serbët e Kosovës nuk do të ndëshkohen për shkak të pjesëmarrjes në zgjedhjet lokale të Kosovës.
XS
SM
MD
LG