Ndërlidhjet

Shqetësimet për pjesëmarrjen në votime


Tubim i partive politike (foto arkiv)
Tubim i partive politike (foto arkiv)
Parakushtet që krijojnë rrethanat politike, ekonomike dhe sociale, me të cilat po ballafaqohet sot Kosova, do të ndikojnë në masë të konsiderueshme në kuantitetin e pjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhjet lokale, të cilat do të mbahen më 15 nëntor.

Kështu vlerësojnë ekspertët për çështje sociologjike dhe psikologjike në Kosovë, të cilët thonë se këto rrethana nuk janë inkurajuese për qytetarët, që t’i tërheqin ata drejt kutive të votimit.

Sociologu Shemsi Reçica thekson së në 10 vjetët e fundit, në Kosovë nuk ka ndryshime të dukshme në përbërjen e skenës politike dhe as rrethanave ekonomike dhe sociale, gjë që, sipas tij, shkakton mungesë frymëzimi tek qytetarët për të dalë në votime.

“Përveç disa zhvillimeve të përgjithshme në infrastrukturë, nuk kemi pothuajse asgjë të re në standardin ose në mirëqenien e zgjedhësve, në punësimin e tyre, në përmirësimin e pozitës sociale, sidomos të shtresave më të gjera të popullatës”.

“Prandaj, nëse shikohen nga afër dhe nga brenda këto rrethana, pothuajse nuk i frymëzojnë dhe as nuk i stimulojnë me asgjë zgjedhësit, për të marrë pjesë në zgjedhjet që do të mbahen më 15 nëntor”,
thotë Reçica.

Ngjashëm vlerëson edhe sociologu Fadil Maloku, i cili thotë se fillimi i fushatës parazgjedhore në Kosovë ka nxjerrë në pah moskoncentrimin e subjekteve politike garuese në problemet që janë me interes për qytetarët.

“Partitë politike nuk kanë arritur akoma që t’i kapin këto shqetësimet e qytetarëve, për shkak se akoma flasin për ‘probleme madhore’, domethënë për tema, të cilat, për mendimin tim, për qytetarët e Kosovës janë tema abstrakte, që nuk hyjnë në interes apo në katalogun e preokupimeve, shqetësimeve dhe problemeve që i hasin në jetën e përditshme”, konsideron Maloku.

Ndërkaq, psikologu Dashamir Bërxulli thotë se debatet e deritashme brenda subjekteve politike dhe kalkulimet e tyre për t’i nxjerrë përfaqësuesit që do të garojnë në zgjedhje, krijojnë përshtypjen te qytetarët se çështjet me interes për ta janë lënë në hije.

“Njerëzit, realisht, kuptojnë dhe dinë gjithçka që ndodh në skenën politike apo në prapaskenat politike të partive politike. Prandaj, duke e pasur këtë informacion me bollëk, atëherë ata edhe dekurajohen që të marrin pjesë në zgjedhje apo të jenë aktivë, qoftë edhe në aktivitetet e partive politike, ku bëhet sqarimi i programeve dhe ideve të tyre programore, në raport me atë se çka do të bëjnë gjatë viteve të ardhshme sikur të qeverisin”, thotë Bërxulli.

Ndryshe, sipas sociologëve, sqarimet e programeve nga subjektet politike gjatë fushatës parazgjedhore, po bëhen sipas klisheve, të cilat qytetarët tashmë i kanë të njohura dhe të konsumuara vite më parë. Sociologu Reçica thekson:

“Edhe ofertat e subjekteve politike, që marrin pjesë në zgjedhjet lokale të këtij viti, pothuajse janë të njëjta dhe nuk ka ndryshime të mëdha midis atyre ofertave për elektoratin e Kosovës”.

Ndërsa, sociologu Maloku thotë se subjektet politike kanë hyrë në fushatë parazgjedhore, të papërgatitura dhe pa i identifikuar problemet dhe shqetësimet e qytetarëve.

“Në qoftë se i marrim këta parametra dhe indikatorë, kujtoj që partitë politike, në rast se nuk bëjnë përmirësime në drejtim të joshjes apo të riformulimit të atyre kërkesave dhe preokupimeve të qytetarëve, jam shumë i bindur që këta indikatorë do të ndikojnë në zvogëlimin e daljes së tyre në zgjedhje”, thotë Maloku.

Psikologu Bërxulli thekson:

“Normalisht që vërehet një zhgënjim i popullatës në raport me performancën e elitës politike në tërësi dhe kjo do të ndikojë që dalja e njerëzve në zgjedhje të mos jetë shumë e madhe, për shkak se njerëzit tashmë nuk besojnë se programet e proklamuara të partive politike janë të zbatueshme realisht dhe se do të zbatohen nga kandidatët përkatës”.

“Kryesisht, këtë e marrin si propagandë parazgjedhore dhe natyrisht që nuk besojnë se vota e tyre ndikon në vendimmarrjen politike pas zgjedhjeve”.
XS
SM
MD
LG