Ndërlidhjet

Optimizëm për daljen e serbëve në zgjedhje


Prishtinë
Prishtinë
Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës thonë se përveç pjesëmarrjes së 21 partive politike serbe në zgjedhje, në to, sipas tyre, pritet të marrë pjesë një numër i konsiderueshëm i qytetarëve serbë. Ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, i bëri këto komente në një konferencë për media në Çagllavicë, duke thënë se nga takimet me qytetarë është arritur në një vlerësim të tillë.

“Sipas të gjitha informacioneve dhe sipas të gjitha sondazheve që ne kemi, jemi të kënaqur me disponimin që qytetarët po e tregojnë kudo për daljen në zgjedhje, e sidomos për lokalitetet e reja, siç janë: Graçanica, Kllokoti, Ranillugu dhe Novobërda”.

“Edhe vetë certifikimi i partive politike, i grupeve të qytetarëve dhe të individëve edhe në atë pjesë të Kosovës, është një progres”,
tha ministri Ferati.

Ai tha se këto argumente i bazon nga kontaktet e drejtpërdrejta me qytetarët, të cilat janë zhvilluar me rastin e fushatës informuese për decentralizimin.

“Kemi disa burime të informacioneve, kemi edhe kontakte të drejtpërdrejta. Të gjithë janë dëshmitarë të shumë takimeve që kemi pasur edhe me qytetarët e komunitetit serb, pra veç atyre shqiptarë, edhe me të tjerët. Pastaj, edhe informacionet që i kemi nga ekipet përgatitore, që janë në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët”, sqaroi Ferati.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Kosovë, Naim Rashiti, tha se pavarësisht përgatitjeve nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, sipas tij, që tani vërehen disa parregullsi në komisionet komunale zgjedhore.

“Në disa raste të veçanta kemi shqetësime, të cilat që tani mund t’i shprehim. Ne vërejmë probleme me komisionet komunale zgjedhore, të cilat, përveç që iu mungon kapaciteti i mjaftueshëm në disa raste, janë shumë të politizuara dhe të ndikuara”, vlerësoi Rashiti.

Por, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Nesrin Lushta, tha se komisionet komunale zgjedhore, sipas Ligjit për zgjedhje, përbehen nga njerëzit që u takojnë partive politike. Ajo theksoi po ashtu se zyrtarët e këtyre komisioneve janë duke u trajnuar.

“E dëgjova këtu fjalën politizim... unë nuk po di se si t’i përgjigjem kësaj pyetjeje, kurse vetë anëtarët e KKZ-ve, por edhe të KVV-ve vijnë nga partitë politike. Ata dominohen nga partitë politike, pastaj vijnë në KQZ dhe ne i emërojmë”, pohoi Lushta.

Ndryshe, i ashtuquajturi Kuvend i Komunave dhe Vendbanimeve Serbe, në ditët e fundit, u ka bërë thirrje serbëve lokalë që t’i bojkotojnë zgjedhjet lokale të 15 nëntorit.

Për këtë thirrje, kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, deklaroi të mos jetë në dijeni.

Zoti Naim Rashiti, nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave në Kosovë, foli edhe për ndikimin e Beogradit te serbët e Kosovës, gjë që, sipas tij, mund t’i lë ata jashtë votimit.

“Shohim një tendencë të deklaratave edhe më tutje të lidershipit të Beogradit, konkretisht të presidentit Tadiq dhe ministrit për Kosovën, që t’i bëjnë thirrje edhe më tutje komunitetit serb që të mos marrë pjesë”.

“Siç duket, kjo është forma e vetme që mund ta përdorin ata. Kryesisht, sipas hulumtimeve tona, ata këtë e ndërlidhin me procesin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”,
tha Rashiti.

Grupi Ndërkombëtar i Krizave konsideron se KQZ-ja, që t’i organizojë vetë zgjedhjet, duhet të mbështetet nga institucione të ndryshme ndërkombëtare.
XS
SM
MD
LG