Ndërlidhjet

Marrëveshje kundër evazionit fiskal


Pika kufitare Jarinë
Pika kufitare Jarinë

Doganat e Kosovës, Administrata Tatimore dhe Policia e Kosovës kanë nënshkruar një memorandum për bashkëpunim në luftimin e kontrabandës dhe evazionit fiskal.


Ky memorandum ka për qëllim shkëmbimin e informacioneve mes këtyre institucioneve dhe mbështetjen e njëra-tjetrës në luftimin e ekonomisë joformale.

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës deklarojnë se janë të gatshëm ta luftojnë kontrabandën dhe evazionin fiskal në vend.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, thekson se këto tri institucione do të punojnë në mënyrë konkrete për të luftuar çdo aspekt të anashkalimit të atyre kompanive, që, në një mënyrë apo një tjetër, përpiqen të mos e respektojnë ligjin.

Ne kemi identifikuar një mundësi shumë më të madhe për t’i mbledhur taksat nga qytetarët dhe kompanitë e Kosovës dhe të tjerat që veprojnë në Kosovë, që janë të obliguara t’i kryejnë detyrimet e tyre”.

“Ka të tillë që nuk i kryejnë këto në mënyrë të vetëdijesuar, andaj shteti duhet të veprojë. Ne besojmë që nuk do të ketë nevojë të zbatohet ligji me forcë, por nëse ka nevojë, kjo marrëveshje precizon se si Policia e Kosovës do të mund të ndihmojë”, thotë Shala.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, thotë se autoritetet janë të përkushtuara që ta luftojnë ekonominë joformale.

Ai thekson se janë bërë përmirësime të dukshme, në veçanti në instalimin e legjislacionit të plotë të menaxhimit të kufijve.

“Edhe kjo marrëveshje, sikurse marrëveshjet që po bëhen, janë për t’i fokusuar institucionet tona dhe për t’i organizuar sa më mirë në drejtim të zbatimit të legjislacionit në fuqi. Ne ende kemi zbrazëti që duhet t’i plotësojmë me legjislacion”, deklaron Pajaziti.

Kosova, së fundi, është kritikuar edhe nga Komisioni Evropian për shkallë të lartë kontrabande dhe evazion fiskal, për shkak të gjendjes në veri të vendit, ku, që prej pavarësimit të Kosovës, qasja e institucioneve vendore në pikat kufitare me Serbinë është pamundësuar.

Sa i përket kësaj çështjeje, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, thotë se kësaj pjese do t’i qasen së bashku me mekanizmat tjerë ndërkombëtarë, pasi që është një çështje specifike.

“Mosrespektimi i ligjit do të thotë mosrespektim i të drejtave të tyre dhe mosrespektim i zhvillimit të tyre. Çdo ikje nga taksa, do të thotë ikje nga e mira e një numri të madh të qytetarëve dhe forcim i të drejtave dhe beneficioneve për një grup tejet të kufizuar, i cili çdo herë do të jetë më i vogël. Shteti i Kosovës po forcohet dhe jam i sigurt që edhe qytetarët serbë në veri po e kuptojnë realitetin”, pohon Shala.

Kontrabandimi i mallrave dhe evazioni fiskal në Kosovë vazhdimisht kanë qenë çështje, të cilat janë kritikuar nga mekanizma të ndryshëm ndërkombëtarë.

Ata vazhdimisht kanë theksuar nevojën për një angazhim më të fuqishëm institucional në këtë drejtim.
XS
SM
MD
LG