Ndërlidhjet

Fushata acaron raportet mes liderëve serbë


Fushata parazgjedhore e subjekteve politike serbe, pjesëmarrëse në zgjedhjet lokale të Kosovës, po tensionohet. Ato akuzojnë njëra-tjetrën për, siç thuhet, korruptim të zgjedhësve dhe blerje të votave.



Fushata parazgjedhore, e cila po zhvillohet nga subjektet politike serbe, pjesëmarrëse në zgjedhjet lokale të Kosovës, tashmë ka filluar të nxjerrë në pah tensionet e para.

Akuzat fillestare ndërmjet Lëvizjes Serbe të Rezistencës në njërën anë dhe Partisë së Pavarur Liberale në anën tjetër, për, siç thonë, lojë të ndyrë në kuadër të fushatës, tashmë janë shndërruar në akuza për korruptim të zgjedhësve dhe blerje të votave.

Momçillo Trajkoviq, kryetar i Lëvizjes Serbe të Rezistencës, thotë se tashmë kanë argumente për një numër rastesh, ku Partia e Pavarur Liberale po ndikon te zgjedhësit përmes, siç thotë si, dhënies së parave, dhurimit të lavatriçeve, druve për djegie e të tjera.

“Këtë është duke e bërë Partia e Pavarur Liberale. Ne kemi argumente. Kemi deklarata të njerëzve, argumente në letër dhe video-regjistrime. Kjo ka të bëjë me mënyrën më perfide të blerjes së njerëzve dhe votave të tyre”.

“Kjo është e ndaluar edhe me Kushtetutën e Kosovës, edhe me të gjitha ligjet e të gjitha shteteve normale”,
thotë Trajkoviq, duke shtuar se e gjithë kjo nuk ka të bëjë me ndonjë formë të lobimit, por, siç shprehet ai, me korruptimin e njerëzve të varfër të bashkësisë serbe dhe të asaj rome.

Në anën tjetër, Petar Milletiq, sekretar i Partisë së Pavarur Liberale, kundërshton akuzat e zotit Trajkoviq, duke i hedhur poshtë ato si të pabaza dhe dashakeqe.

“Kjo, thjesht, nuk është e saktë. Unë mund ta kuptoj zotin Trajkoviq, për shkak se ai është i dëshpëruar, sepse, me sa duket, ai po i humb zgjedhjet".

"Unë, tash e njëzet vjet, i përcjell proceset zgjedhore dhe e di që gjithmonë ata që i humbin zgjedhjet, i akuzojnë kundërkandidatët e tyre se i kanë blerë votat me para. Para së gjithash, një gjë e tillë nuk shpaguhet”,
thotë Milletiq, për të shtuar se partia e tij nuk ka aq para sa për të blerë vota.

Ndryshe, Trajkoviq përkujton se në Qeverinë aktuale të Kosovës gjenden dy ministra serbë me mbiemrin Rashiq, nga Partia e Pavarur Liberale, të cilët drejtojnë Ministrinë e Kthimit dhe atë të Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Ai thotë se paratë për blerjen e votuesve po sigurohen nga, siç i quan ai, qendrat e fuqishme në Prishtinë, të cilat, sipas tij, po përpiqen të ndihmojnë një familje dhe një grup njerëzish për të marrë pushtetin lokal.

“Kemi të bëjmë me një familje, me një grup njerëzish, që po përpiqen ta kalërojnë popullin serb me çdo kusht, të ndihmuar nga qendrat e fuqishme në Prishtinë. Kjo është një përqeshje e përgjithshme dhe karikaturim i zgjedhjeve. Kësaj sjelljeje duhet t'i ndërpritet rruga dhe ne këtë e presim nga Komisioni Qendror Zgjedhor”.

“Ne kemi biseduar edhe me zotin Feith dhe gjithashtu do të kemi edhe një konferencë për media, për të kërkuar që kjo sjellje të ndërpritet dhe të krijohet një atmosferë demokratike për zgjedhje”,
thekson Trajkoviq.

Ai shton se në konferencën për media, të cilën e paralajmëroi për ditët e ardhshme, do të ketë edhe subjekte tjera politike serbe, të cilat do t’i paraqesin argumentet e tyre për, siç thotë ai, korruptimin e votuesve.

Ndërkaq, Milletiq porosit drejtuesit e Lëvizjes Serbe të Rezistencës që nëse posedojnë argumente për akuzat e tyre, ato t'i deponojnë në organet e drejtësisë.

“Nëse kanë argumente, unë i trimëroj ata që t’i deponojnë ato në prokurori. Ndërkaq, fakti që Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministria e Kthimit po e bëjnë punën e tyre, kjo kurrsesi nuk do të thotë se në këtë mënyrë Partia e Pavarur Liberale po i blen votat”,
thotë Milletiq, duke vlerësuar se të gjitha akuzat që po i drejtohen partisë së tij, janë, siç i quan ai, "një lojë e ndyrë brenda fushatës parazgjedhore".
XS
SM
MD
LG