Ndërlidhjet

Edhe një i mbijetuar i Tisës?


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Policia e Kosovës bën të ditur se një person, që dyshohet se ishte në grupin e të zhdukurve në tragjedinë e lumit Tisa, është i gjallë. Ai thuhet se është një adoleshent, i cili gjendet në një qendër paraburgimi në Austri.



Një person, që gjendej në mesin e të zhdukurve në tragjedinë e lumit Tisa, mund të jetë i gjallë. Këtë e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, ndihmësdrejtori për hetime në Policinë e Kosovës, Kadri Arifi.

“Një e kemi të konfirmuar nga autoritetet austriake, një është në Austri nga ajo lista me 16 persona. Domethënë, një është gjallë në Austri dhe ai është në qendër paraburgimi në Austri, për shkak të kalimit ilegal. Por, është gjallë, është i konfirmuar”, tha Arifi.

Arifi, përveçse bëri të ditur se bëhet fjalë për një adoleshent, nuk dha detaje tjera mbi identitetin e të arrestuarit.

Autoritetet austriake nuk kanë dashur të komentojnë në lidhje me këtë rast.

Varka e përmbysur, ditë më parë, në lumin Tisa në Hungari, bartte 19 persona. Policia hungareze dhe ajo serbe kanë konfirmuar vdekjen e 5 personave; tre janë gjetur të gjallë në Hungari dhe të tjerët konsiderohen të zhdukur.

Nëse konfirmohet se adoleshenti në Austri i përket këtij grupi, atëherë të zhdukur mbesin edhe 10 persona.

Por, edhe pse tashmë viktima e parë e kësaj tragjedie, Elvira Jaha, është varrosur në Prishtinë, vdekja e saj si dhe e katër të tjerëve nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet kosovare.

Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, tha:

“Kjo vjen në vijë shtetërore dhe fillimisht informohen familjarët nga autoritetet e jashtme. Por, konfirmim zyrtar nuk kemi. Pritet të na vijë në mënyrë diplomatike nga shteti prej nga vijnë, nga Hungaria. Përderisa nuk kemi dokumente, është vështirë konfirmimi”.

Autoritetet e Hungarisë dhe të Serbisë kanë thënë sot se nuk kanë gjetur trupa të tjerë. Në këto dy vende nuk ka asnjë të arrestuar.

Ndërkaq, Kosova po i kërkon katër të dyshuar në lidhje me këtë rast të trafikimit të qenieve të gjalla. Personi i pestë i dyshuar, i vetëdorëzuar në polici, tashmë gjendet në shtëpi.

Kadri Arifi tha se vendimi për lirimin e tij është marrë nga prokurori i EULEX-it.

“Të pestin e kemi intervistuar dhe ai është në shtëpi për momentin. Por, edhe ai është në pjesën e atyre që dyshohen, por roli i tyre ndoshta nuk ka qenë primar. Mbetet të shihet përgjegjësia e tij, eventualisht penale. Është vendim i prokurorit të EULEX-it. Ai ka kërkuar që të lirohet në procedurë të rregullt”, sqaroi Arifi.

Por, kryeprokurori publik i Prishtinës, Osman Kryeziu, tha se po të kishte dyshime të bazuara, i vetëdorëzuari do të gjendej prapa grilave.

“Varet se sa ka qenë dyshimi i bazuar. Kjo vlerësohet nga prokurori, çfarë deklaratash ka thënë. Por, po të ishte ashtu si ka dalë në mjetet e informimit, ai sot do të ishte i ndaluar. Me vetë faktin që e kanë lëshuar, nuk kanë pasur dyshim të bazuar”, tha Kryeziu.

Bëhet fjalë për personin, për të cilin EULEX-i ka konfirmuar se është dorëzuar vullnetarisht në Policinë e Kosovës, duke pranuar përfshirjen e tij në rastin e lumit Tisa. Ai i ka thënë policisë se u ka marrë familjeve që ishin kontrabanduar përtej kufijve nga 6 deri në 8 mijë euro.
XS
SM
MD
LG