Ndërlidhjet

Vazhdojnë përpjekjet për gjetjen e trupave në Tisa


Lumi Tisa
Lumi Tisa

Policia e Kosovës njoftoi se autoritetet serbe kanë gjetur trupin e një fëmije njëvjeçar, që është mbytur në tragjedinë e lumit Tisa.

“Më 2 nëntor kemi pranuar informatën nga EULEX-i se autoritetet e Serbisë kanë gjetur trupin e një fëmije njëvjeçar. Identifikimi i këtij trupi është në proces”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

* * *

Autoritetet në Kosovë kanë shpallur 2 nëntorin ditë zie shtetërore për të nderuar viktimat e fatkeqësisë në lumin Tisa të Hungarisë, ku gjatë kalimit ilegal të kufirit Serbi-Hungari kanë humbur jetën 9 njerëz, ndërsa mbesin të zhdukur të paktën 7 persona të tjerë.

Flamuri shtetëror i Kosovës i ulur në gjysmështizë, mediat televizive dhe të përditshmet kosovare, që në logon dhe ballinat e tyre mbajnë një shirit të zi, si dhe pezullimi i aktiviteteve nga pjesa më e madhe e partive politike për fushatën elektorale për zgjedhjet e nëntorit, karakterizuan ditën e hënë në Kosovë.

Kuvendi i Kosovës nisi seancën e tij plenare me një minutë heshtje, si shenjë nderimi për viktimat e Tisës.

“Ju lus që me një minutë heshtje t’i përkujtojmë viktimat e tragjedisë së lumit Tisa”, ishte fjalia me të cilën kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, hapi punimet për seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës.

Fundosja e barkës, në të cilën dyshohet të kenë qenë diku 19 veta, kishte ndodhur kah mesi i muajit tetor, ndërsa konfirmimet zyrtare për këtë ngjarje kishin ardhur pas më shumë se dy javësh.

Autoritetet kosovare dhe ato hungareze, policitë e të dyja vendeve dhe misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, kishin nisur bashkëpunimin për t’i zbardhur rrethanat që shkaktuan tragjedinë dhe për t’i gjetur personat përgjegjës që organizuan kalimin.

Autoritetet e sigurisë në Kosovë, deri më tani, kanë identifikuar katër persona të dyshuar për trafikim me qenie njerëzore, lidhur me kalimin ilegal të grupit të kosovarëve nga Serbia për në Hungari.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, tha se hetimet dhe bashkëpunimi me të gjitha palët e përfshira po vazhdojnë, porse konfirmimi i informatave vështirësohet nga hierarkia institucionale në të tria shtetet.

“Meqë janë të involvuara dy deri në tri shtete, është paksa problematik konfirmimi i menjëhershëm i informatave. Me autoritetet hungareze kemi pasur një komunikim të drejtpërdrejtë, ku ka ndodhur dërgimi i dy zyrtarëve policorë, së bashku me prokurorin special të rastit”.

“Ndërsa, sa i përket pjesës së autoriteteve të shtetit të Serbisë, këto komunikata marrin kohë, meqë kalojnë edhe nëpërmjet zyrtarëve të EULEX-it”,
tha Kelani.

Bilanci aktual i ngjarjes në Tisa është: 9 të mbytur, 3 të shpëtuar dhe të paktën 7 të zhdukur.
XS
SM
MD
LG