Reparti i hemo-dializës në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë gjendet në katin e pestë dhe kjo shkakton telashe të mëdha për pacientët.
Zyrtarët shëndetësorë thonë se në bazë të të gjitha standardeve ndërkombëtare, ky repart duhet të jetë i vendosur në katin përdhese, nisur nga fakti se pacientët janë kryesisht të lidhur për karrocë ose shtrat.
Shefi i repartit të dializës, Ymer Elezi, thotë se lartësia është problem serioz për pacientët.
“Kur është ndërtuar qendra e hemo-dializës në Prishtinë, ka qenë në katin e pestë, e, sipas standardeve, nuk guxon të jetë, dhe fatkeqësisht kështu ka mbetur. Problem tjetër është hapësira, e cila është e kufizuar, sepse këtë repart e frekuenton një numër shumë më i madh pacientësh, sesa që ka kapacitet”, thotë Elezi.
Sipas Elezit, që 10 vjet, nga institucionet përgjegjëse vazhdimisht kërkohet që të bëhet zhvendosja e repartit të hemo-dializës nga kati i pestë, aq më tepër kur merren parasysh dhe problemet me rrymë.
“Nuk ka rrymë. Ashensorët kanë defekte dhe kemi probleme të mëdha”, thotë ai.
Kuvendi Komunal i Prishtinës ka dalë me një zgjidhje, por ajo ende nuk është zbatuar. Ramë Miftari, nga ky kuvend, thotë se është ndarë një sipërfaqe prej 550 metrash katrorë në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë.
Mirëpo, procesi tash ka mbetur te vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë për të miratuar punësimin e personelit në këtë repart.
“Ka qenë problem, që ka rënduar Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës në vazhdimësi. Vendosja e lokacionit në katin e pestë ka qenë problem për pacientët dhe ne, Kuvendi Komunal, kemi ofruar një lokacion prej 550 m2 në ‘Kodrën e Trimave’, në Qendrën e Mjekësisë Familjare”.
“Është i gatshëm me aparaturë për fillimin e punës. Problem është sigurimi i punëtorëve që merren me këtë punë, por tash Ministria e Shëndetësisë është përgjegjëse dhe ka mbetur të vendosë për të filluar së punuari kjo qendër”, shprehet Miftari.
Ndërkaq, Faik Hoti, zëdhënës në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se objekti për hemo-dializë është i gatshëm. Problemi, sipas tij, qëndron te 30 punëtorët e rinj që duhet të përfshiheshin në planifikimin buxhetor.
“Objekti është i gatshëm. Janë 13 aparate të reja të dializës dhe në momentin që Qeveria mundëson kyçjen e punëtorëve të rinj në punë, kjo qendër do të aktivizohet”, thekson Hoti.
Deri atëherë, pacientët duhet të ngjiten në katin e pestë për të marrë trajtimin. Duke përjashtuar këtë problem, reparti i hemo-dializës, sipas autoriteteve, ka të gjitha materialet dhe aparaturën e nevojshme.