Ndërlidhjet

Priten arrestime për afera korruptive


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Zyrtarë të Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit thonë se janë në pritje të vendimeve nga misioni i EULEX-it, për arrestimin e disa zyrtarëve të lartë në Kosovë, të cilët dyshohen se janë të përfshirë në afera korruptive.



Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit bën të ditur se janë rreth 40 raste, të cilat janë paraqitur te prokurorët e misionit për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë.

Mentor Borovci, nga departamenti i hetimeve në këtë agjenci, thotë se pas shqyrtimit të rasteve nga prokurorët ndërkombëtarë, priten edhe rezultatet e para në luftën kundër korrupsionit.

Deklarata e Borovcit vjen pas paralajmërimeve të zyrtarëve të EULEX-it për arrestimin e figurave të mëdha, të përfshira në afera korruptive, në dy muajt e ardhshëm.

“Janë rreth dyzet raste që i kemi proceduar në EULEX. Natyra e këtyre rasteve, është shumë ‘e ndjeshme’, ashtu siç i quajmë ne. Rastet e zakonshme ne i dërgojmë në prokurori të qarkut, varësisht nga kompetenca e territoriale që kanë”.

“Vlerësojmë se është prokuroria e EULEX-it ajo që mund t’i trajtojë në mënyrën se si duhet të trajtohen. Ne shpresojmë që do të ketë lëvizje pozitive në këtë drejtim”,
thotë Borovci.

Borovci shpjegon se, krahas këtyre rasteve të ndjeshme, të cilat janë marrë në shqyrtim nga EULEX-i, në prokuroritë e tjera të vendit janë edhe rreth 150 raste të tjera të dyshuara për korrupsion.

“Janë rreth 150 raste që i kemi dërguar në prokuroritë gjegjëse, qoftë në prokurorinë në nivel qendror, qoftë në prokuroritë e qarkut, varësisht prej kompetencës territoriale. Aspektet statistikore janë çështje që ndryshojnë nga dita në ditë, varësisht nga dinamika e punës”, sqaron Borovci.

Këtë informatë e konfirmon për Radion Evropa e Lirë kryeprokurori publik i Prishtinës, Osman Kryeziu, i cili shpjegon se prokurorët kosovarë janë duke punuar për verifikimin e informatave të dhëna nga Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit për rastet e dyshuara që janë paraqitur në institucionet e tyre.

“Normalisht që janë duke punuar në atë drejtim. Të gjitha fletëparaqitjet janë që kanë të bëjnë me krimet ekonomike. Janë informata paraprake dhe është duke u punuar në atë drejtim. Prokurorët e kanë regjistrin, në të cilin po punohet. Dhe, nga viti në vit janë diku rreth 20 -30 raste”, thotë Kryeziu.

Kritikat e mëhershme për vonesa në gjykimin e personave të përfshirë në afera korruptive, Kryeziu i cilëson si të pabaza duke shtuar se për secilin rast të dyshuar duhet të ketë informata të verifikuara mirë.

“Janë duke u punuar; ne akoma asnjë akuzë nuk e kemi ngritur, sepse janë në polici dhe duhet të merren informatat paraprake”, tha Kryeziu.

Para pak ditësh kryeprokurori i Kosovës, Himli Zhitia, ka bërë të ditur se edhe në sistemin e gjyqësisë ka dyshime për korrupsion dhe se për ketë qëllim ka hetime në procedurë.

Siç ka thënë ai, bëhet fjalë për rreth 50 raste të përfshira në afera korruptive.

Ndryshe, në raportin e fundit të Komisionit Evropian për Kosovën është thënë se nuk ka luftë të mjaftueshme ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
XS
SM
MD
LG