Ndërlidhjet

Bentler: Garantojmë ambient të sigurt


Paqeruajtësit e KFOR-it
Paqeruajtësit e KFOR-it

Komandanti i KFOR-it, gjenerali Markus Bentler, tha se misioni që ai udhëheq, nuk ka përgatitur plane të veçanta operative për ditën e zgjedhjeve. Ai tha se nuk ka indikacione për përkeqësim të situatës së sigurisë në këtë kohë.



Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, gjenerali Markus Bentler, tha se KFOR-i do të mbikëqyrë për së afërmi situatën e sigurisë në ditën e zgjedhjeve në Kosovë, porse, siç tha ai, nuk ka indikacione se procesi zgjedhor do të paraqesë rrezik për qytetarët në vendvotime.

Këto komente, Bentler i bëri në një konferencë në Media - Qendrën në Çagllavicë, ku theksoi se për të garantuar siguri të plotë në tërë Kosovën më 15 nëntor, KFOR-i do të bashkëpunojë me mekanizmat e tjerë të sigurisë në vend.

“Zgjedhjet e para, të organizuara në mënyrë të pavarur nga institucionet e Kosovës, kanë vëmendjen tonë kryesore. Ne, së bashku me të gjithë partnerët tanë, veçanërisht me EULEX-in dhe Policinë e Kosovës, do të sigurojmë një ambient të qetë dhe të sigurt. Ne do të jemi aty për njerëzit e Kosovës, do të jemi të gatshëm të reagojmë shumë shpejt”.

“Ne kemi vendosur planet tona. Ne jemi të vetëdijshëm për situatën në të gjitha komunat dhe mendoj se jemi shumë mirë të përgatitur për të garantuar një ambient të sigurt”,
tha Bentler, për të shtuar se KFOR-i nuk e ka parë si të nevojshëm krijimin e planeve specifike të operimit për të dielën e ardhshme.

Gjenerali gjerman theksoi gatishmërinë e trupave të KFOR-it për të reaguar në mënyrë të duhur në çfarëdolloj situate, e cila mund të ndodhë në vend, por tha se për momentin situata aktuale e sigurisë në të gjithë territorin e Kosovës është e qetë.

Markus Bentler
Niveli i sigurisë, sipas Bentlerit, do të jetë determinues edhe për reduktimin e trupave të KFOR-it në Kosovë. Ai bëri të ditur se, deri në marrjen e një vendimi të ri nga NATO-ja, KFOR-i planifikon të reduktojë në rreth 10,000 ushtarë praninë e tij në vend deri në fund të janarit të vitit të ardhshëm, veprim ky që, sipas tij, nuk ndikon në aktivitetet e këtij misioni.

“Ne do të vazhdojmë të jemi këtu dhe të bëjmë punën tonë dhe të përmbushim mandatin tonë. Ne kurrë nuk do ta vëmë në rrezik ambientin e qetë dhe të sigurt. Ky është qëllimi ynë për të cilin paguhemi”.

“Dua t’i siguroj të gjithë njerëzit e Kosovës se do të vazhdojmë me këtë dhe se do ta arrijmë këtë cak. Ndryshe, do të ishte e parakohshme dhe e papërgjegjshme të bëjmë këtë lloj reduktimi që po e bëjmë”,
tha ai.

Sidoqoftë, Bentler pohoi se ka ende disa probleme në Kosovë, siç është çështja e veriut të Mitrovicës - probleme këto që, sipas tij, kërkojnë një zgjidhje politike e jo ushtarake. Në aspektin ushtarak, theksoi gjenerali gjerman, nuk ekziston asnjë kërcënim për Kosovën.

“Nuk shoh asnjë kërcënim ushtarak nga jashtë për Kosovën. Kjo mund të thuhet sigurt dhe nuk ka ndonjë shqetësim për ne. Kemi një bashkëpunim të mirë me fqinjët, me Maqedoninë, Shqipërinë dhe Malin e Zi. Kemi po ashtu një bashkëpunim shumë të mirë në nivelin teknik me Serbinë, që ka të bëjë me vijën administrative”, sqaroi Bentler.

Aktualisht, NATO-ja ka rreth 13,500 paqeruajtës ndërkombëtarë në Kosovë. Një ndër fushat për të cilat ky mision vazhdon të jetë përgjegjës, është dhe operacionalizimi i plotë i Forcës së Sigurisë së Kosovës.
XS
SM
MD
LG