Ndërlidhjet

DV: Probleme në procesin zgjedhor


Prishtinë, 15 nëntor '09.
Prishtinë, 15 nëntor '09.

Vëzhguesit vendorë raportojnë për disa incidente në vendvotimet për zgjedhjet e sotme lokale. Ndërkaq, Policia e Kosovës thotë se nga incidentet e raportuara nuk cenohet procesi zgjedhor.



Policia e Kosovës vlerësoi se incidentet që janë përmendur deri më tash nga vëzhguesit e zgjedhjeve të sotme, në të cilat është dashur të intervenojnë autoritetet e rendit, nuk karakterizohen si raste që cenojnë procesin zgjedhor.

Zëdhënësi Baki Kelani, si një nga incidentet ka përmendur atë në Zubin Potok, që tashmë është konfirmuar edhe nga Komisioni Qendror Zgjedhor, ku një grup serbësh kishin protestuar, duke këkruar largimin e ekipit mobil të votimit.

Ndërkohë, incidentet e përmendura nga Rrjeti i OJQ-ve "Demokracia në Veprim", sipas Kelanit, nuk karakterizohen si raste që cenojnë procesin zgjedhor.

“Janë incidente, të cilat janë të një natyre normale, që kanë kaluar pa asnjë incident serioz që mund të potencohet”, tha Kelani.

Në anën tjetër, kreu i koalicionit "Demokracia në Veprim", Ismet Kryeziu, duke u bazuar në të dhënat nga vëzhguesit në terreni, paraqiti disa probleme që, sipas tij, kanë cenuar procesin zgjedhor.

Kemi tentativa të votimeve të dyfishta në disa vendvotime, ku kemi ngritje të tensioneve dhe pamudnësi të punës së komisionarëve apo edhe vëzhguesve. Këto vende që vlejnë të përmenden, janë: Banja e Malishevës, ku vërehet një tentativë e votuesve që nuk janë nga këto qendra të votimit, për të votuar; kemi Llaushën e Skënderajt, kemi Komogllavën e Komunës së Ferizajt".

"Vendet tjera ku mund të konkludojmë se ka tensione, janë: Badovci dhe Stublla e Gjilanit dhe në Vushtrri. Pra, këtu ka tentativa që të votohet disa herë dhe ka tensione të ngritura mes komisionarëve“,
tha Kryeziu.

* * * * * * * * * *

Më herët, koalicioni “Demokracia në Veprim” ka vënë në pah se parregullsi ka pasur edhe në hapjen e vendvotimeve që ndërlidhen me mungesë të materialeve për votim e ndërhyrje të komisionarëve te votuesit.

“Ne kemi hasur disa pengesa dhe disa incidente që kanë ndodhur në vendvotimet në Kosovë, por që janë të një karakteri që nuk mund të ndikojnë në procesin zgjedhor. Kemi pasur votime me vonesë, në Prizren, në Sreçkë, në Novosellë, në Ortakoll. Kemi vendvotime, që ende nuk janë hapur”.

“Kemi mungesë të materialeve në disa vende, p.sh. në Sreçkë s’ka pasur vulë, në Mitrovicë ka munguar llampa në disa vendvotime. Në të gjitha vendvotimet kemi mungesë të listës së kandidatëve brenda kutive të vendvotimeve”,
ka bërë të ditur Kryeziu.

Zoti Kryeziu ka njoftuar edhe për disa, siç i ka konsideruar ai, tensione nëpër qendrat e votimit.

"Në fshatin Brod të Shtërpces ka pasur disa tensione, me ç’rast policia ka qëndruar brenda vendvotimeve. Policia ka qëndruar brenda vendvotimeve, për shkak të tensioneve, edhe në Tusus të Prizrenit dhe në Prishtinë", ka thënë Kryeziu.

Ai ka vënë në pah edhe ndërhyrjet që një komisionar i një subjekti politik në Novosellë të Malishevës ka bërë mbi votuesit, duke i shtyrë ata që të votojnë për partinë e caktuar politike.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG