Ndërlidhjet

Votimet e serbëve


Qendër votimi në Graçanicë
Qendër votimi në Graçanicë

Përderisa në Kosovën qendrore është shënuar një përqindje më e madhe e daljes së votuesve serbë në zgjedhjet lokale, në veriun e Kosovës nuk ka pasur votues të këtij komuniteti.



Votimet për zgjedhjet lokale të Kosovës, të cilat janë zhvilluar në vendbanimet ku jetojnë serbët, kanë shënuar daljen e një numri të votuesve potencialë.

Zoran Jovanoviq, kryetar i Komisionit Zgjedhor në Ranillugë, thotë se procesi i zgjedhjeve është zhvilluar kryesisht i qetë dhe se në votime kanë dalë rreth 15 për qind e votuesve.

“Në Domorovc kanë dalë 50 votues, në Ranillugë kanë dalë 279 dhe në Ropotovë 341 votues. Do të thotë, gjithsej 670 votues, që nënkupton rreth 15 për qind të votuesve”, thotë Jovanoviq.

Ndërkaq, në Shtërpcë pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhje ka qenë në përqindje më të madhe. Milan Janiçijeviq, kryetar i Komisionit Zgjedhor në Shtërpcë, thotë se deri në orën 17:00 në votime kanë dalë rreth 3,000 votues.

“Numri i serbëve që kanë dalë në votime ka qenë i vogël. Ata janë rreth 8,000 të regjistruar, kurse në zgjedhje kanë dalë rreth 1,000 prej tyre. Ndërkaq, shqiptarë janë të regjistruar rreth 3,000 votues, kurse në votime kanë dalë rreth 2,000 prej tyre”.

“Do të thotë se përqindja më e madhe e votuesve u takon shqiptarëve”,
thekson Janiçijeviq, duke shtuar se pjesëmarrja e përgjithshme e votuesve sillet rreth 65 për qind.

Ndryshe, në veriun e Kosovës, me gjithë angazhimin e disa njësive mobile për votim, pjesëmarrja e qytetarëve serbë në votime ka qenë e zbehtë, ose nuk kanë marrë pjesë fare.

Dejan Zariq, kryetar i Komisionit të Zgjedhjeve në Komunën e Zveçanit, sqaron se të dhënat që disponon tregojnë se deri në orën 18:00 nuk është shënuar asnjë rast i votimit nga zgjedhësit serbë në Zveçan.

“Përqindja e daljes në votime është e pakonsiderueshme. Për shkak të situatës politike këtu në veri, përgjigjja e qytetarëve për zgjedhjet ka qenë e keqe dhe mendoj se deri më tash nuk ka dalë askush për të votuar”, shpjegon Zariq.

Situatë e ngjashme, sa i përket pjesëmarrjes së serbëve në votime, ka qenë edhe në Zubin-Potok. Dushica Stojanoviq, kryetare e Komisionit të Zgjedhjeve në Zubin-Potok, pohon se nuk është shënuar asnjë rast i votimit nga qytetarët serbë.

“Sa i përket Zubin-Potokut, qytetarët nuk kanë dalë në zgjedhje. Ka pasur një njësi zgjedhore, gjegjësisht një ekip mobil. Por, Partia Demokratike Serbe e Kosovës është tërhequr nga zgjedhjet dhe duke pasur parasysh se asnjë parti serbe nuk ka qenë në listën e zgjedhjeve, kanë munguar edhe votuesit”,
thekson Stojanoviq.
XS
SM
MD
LG