Ndërlidhjet

Thyhet tradita e bojkotit


Graçanicë
Graçanicë

Pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje, edhe pse me përqindje jo të lartë, shënon ndërprerjen e traditës së bojkotimit të zgjedhjeve për pjesëmarrje në institucionet kosovare, thonë liderët serbë të Kosovës.



Në votimet për zgjedhjet lokale, të organizuara nga institucionet e Kosovës, pjesëmarrja e serbëve është shënuar vetëm në Kosovën qendrore, ndërkohë që në veriun e saj, serbët nuk kanë votuar.

Megjithëkëtë, dalja e serbëve të Kosovës qendrore në votime, nga liderët e serbëve kosovarë shikohet dhe vlerësohet nga kënde të ndryshme.

Rada Trajkoviq, nga Këshilli Kombëtar Serb për Kosovën qendrore, thotë se dalja e qytetarëve serbë për të votuar, ka qenë përtej parashikimeve të saj.

“Duhet të jem e sinqertë se pjesëmarrja e serbëve ka tejkaluar pritjet e mia. Unë vazhdimisht kam qenë për pjesëmarrje në zgjedhje dhe kam lobuar mjaft që serbët të bëhen pjesë e procesit zgjedhor, veçanërisht në nivelin lokal. Në këtë kuptim, unë shpreh kënaqësinë”.

“Më duhet të them se serbët e Kosovës kanë nevojë për legalizim dhe legjitimim institucional, si mënyrë, mundësi dhe mjet që mos t’i shprehin më kërkesat e tyre në mënyrë jofakultative ndaj bashkësisë ndërkombëtare, shqiptarëve dhe Beogradit, por mbi principin legjitim, legal dhe të artikuluar institucionalisht”,
thotë Trajkoviq.

Në anën tjetër, Millan Ivanoviq, po ashtu nga Këshilli Kombëtar Serb, por për veriun e Kosovës, thotë se serbët e këtij rajoni i kanë bojkotuar në përgjithësi zgjedhjet, ndërkohë që përqindjen e pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës qendrore në votime, ai e konsideron të vogël.

“Në Kosovën qendrore dhe në Shtërpcë ka dalë një numër i votuesve, por niveli i pjesëmarrjes në votime prej 15 deri në 20 për qind, këtyre zgjedhjeve nuk u jep legjitimitetin e serbëve”.

“Nga numri i përgjithshëm i zgjedhësve serbë të Kosovës, gjithsejtë kanë marrë pjesë rreth 2. 5 për qind në këto zgjedhje”,
thotë Ivanoviq, duke shprehur mendimin se serbët me këtë pjesëmarrje të ulët, nuk i kanë pranuar institucionet e Kosovës.

Pjesëmarrja e shënuar e serbëve në votime, sipas Rada Trajkoviqit, paraqet ndërprerje, nga ana e tyre, të traditës së bojkotimit të zgjedhjeve, të organizuara nga institucionet në Kosovë.

“Mendoj se në njërën anë ata e kanë ndërprerë traditën e bojkotimit të zgjedhjeve, por, në anën tjetër, nuk i kanë ndërprerë dhe nuk do t’i ndërpresin kurrë lidhjet me Beogradin”, shprehet Trajkoviq.

Lidhur me këtë çështje, Ivanoviq thekson:

“Mendoj se nuk mund të themi se nuk është ndërprerë tradita e bojkotimit të zgjedhjeve dhe institucioneve të Kosovës. Por, përqindja prej 2.5 e daljes në votime dhe bojkotimi total i zgjedhjeve në veriun e Kosovës, ku jetojnë më shumë se gjysma e serbëve, më së miri tregojnë se çfarë mendojnë ata për këto zgjedhje dhe institucionet e Kosovës”.


Sidoqoftë, të dy këta liderë serbë vlerësojnë se dalja e një numri të serbëve në votime në Kosovën qendrore dhe bojkotimi i zgjedhjeve nga serbët në veriun e saj, nuk do të shkaktojnë përçarje në mes serbëve të Kosovës.

Zonja Trajkoviq thotë se të gjithë serbët në Kosovë presin që veriu i saj do t’i ruajë institucionet, sikurse janë universiteti dhe qendra klinike, që janë me domethënie thelbësore për mbijetesën e tyre në Kosovë.

Ndërkaq, Ivanoviq thotë se serbët e veriut e kuptojnë situatën në të cilën gjenden serbët në Kosovën qendrore, i kuptojnë presionet mbi ta si dhe frikën që kanë nga e ardhmja.

Nisur nga kjo, siç shprehet ai, nuk pret se do të krijohet ndonjë hendek, që do të kishte për pasojë ndarje apo konfrontim në mes serbëve që jetojnë në pjesën qendrore dhe atyre në pjesën veriore të Kosovës.
XS
SM
MD
LG