Ndërlidhjet

Mamografia, e rrezikshme për gratë nën 50 vjeçe


Qelizat kancerogjene (Fotografi ilustruese)
Qelizat kancerogjene (Fotografi ilustruese)

Një grup ekspertësh amerikanë të shëndetësisë kanë rekomanduar ndryshime radikale në parandalimin e kancerit të gjirit, duke u propozuar të gjitha grave që të mos i nënshtrohen pasqyrimit rëntgen - mamografisë - para moshës 50-vjeçare.

Grupi Punues i Shteteve të Bashkuara për Parandalim (U.S.Preventive Services Task Force - USPSTF), në rekomandimet e fundit që i ka bërë për parandalimin e kancerit të gjirit, ka thënë se vendimi i grave për t’iu nënshtruar mamografisë para moshës 50-vjeçare, duhet të merret vetëm në përgjegjësinë e tyre personale, kanë njoftuar mediat amerikane.

Këto rekomandime të këtij grupi punues në masë të madhe dallojnë nga rekomandimet e mëhershme, të përpunuara në vitin 2002. Anëtarët e atëhershëm të USPSTF-së propozuan kontrollim rutinor të grave mbi moshën 40-vjeçare në çdo një ose dy vjet.

Ekspertët amerikanë kanë shpjeguar se rekomandimet e reja janë të bazuara në të dhënat dhe analizat më të fundit që kanë grumbulluar, e që për synim kanë zvogëlimin e efekteve të dëmshme nga testimi i panevojshëm dhe i shpeshtë.

Grave, nga mosha 50 deri në moshën 74-vjeçare, u rekomandohet ta bëjnë mamografinë çdo dy vjet dhe jo siç është rekomanduar deri më tash, një herë në vit.

Kontrolli rutinor nuk u rekomandohet grave që janë në të 40-at, por as atyre mbi moshën 74-vjeçare, thuhet në rekomandimet e ekspertëve amerikanë.
Sipas tyre, para se një grua të vendosë t’i nënshtrohet mamografisë, ajo duhet fillimisht të bisedojë me mjekun e saj për anët e mira dhe të këqija të këtij lloj testimi.

Ekspertët amerikanë kanë tërhequr vërejtjen se mamografia para moshës 50-vjeçare është më e dëmshme se që mund të jetë e dobishme. Në kuadër të rreziqeve të mundshme, ata kanë përmendur dëmet nga rrezatimi dhe shqetësime të tjera.

Dobinë më të madhe nga mamografia e kanë gratë midis moshës 60 dhe 69-vjeçare, e cila mund të ndihmojë në parandalimin e kancerit të gjirit në një në 377 gra, të cilat i janë nënshtruar këtij lloj testimi.

USPSTF përbëhet nga 16 ekspertë prestigjiozë, njëri prej të cilëve është onkolog. Bëhet fjalë për grupin me ndikim, të themeluar më 1984, synimi i të cilit është të analizojë dhe t’u japë udhëzime mjekëve, kompanive të sigurimit dhe qeverisë, në fushën e parandalimit të sëmundjeve të ndryshme.

Instituti Kombëtar i Kancerit ka deklaruar se do të ridefinojë udhëzimet aktuale për mamografinë, në bazë të rekomandimeve të reja.

Shoqata amerikane për kancerin dhe Kolegji Amerikan i Radiologjisë, tash për tash, nuk synojnë t’i ndryshojnë rekomandimet që ata kanë, duke i këshilluar gratë që të vazhdojnë të testohen me mamografi pas moshës 40-vjeçare.
XS
SM
MD
LG