Ndërlidhjet

Kosova bëhet gati për GJND


Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë

Kosova po bën përgatitjet përfundimtare për seancën e parë dëgjimore në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila që nga 1 dhjetori do të nisë shqyrtimin e ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovë.


Kanë mbetur më pak se dy javë nga dita kur para ligjit ndërkombëtar do të fillojë procesi i shqyrtimit të ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës bën të ditur se ka intensifikuar punën përgatitore për seancën e parë dëgjimore në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila më 1 dhjetor do të dëgjojë përfaqësuesit e Beogradit dhe të Prishtinës zyrtare në lidhje me ligjshmërinë e aktit të shpalljes së pavarësisë më 17 Shkurt 2008.

Në seancën e parë dëgjimore në Hagë, që të dy palët do të kenë tri orë në dispozicion për t’i paraqitur argumentet pro e kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Mirëpo, në lidhje me përmbajtjen e dokumenteve që gojarisht do të paraqiten para këtij institucioni nga ana kosovare, apo në lidhje me atë se kush do t’i paraqesë ato, nuk jepen informata më precize.

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Albana Beqiri, shpjegon:

“Përgatitjet janë intensifikuar më shumë, veçmas tani kur kanë mbetur më pak se dy javë deri më 1 dhjetor, kur siç e dini, Kosova ka tri orë në dispozicion për të mbrojtur ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së vet”.

Në muajin prill të këtij viti përfaqësuesi i Kosovës në këtë proces, britaniku Majkëll Vud, kishte deponuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dokumentin bazë prej 200 faqesh dhe aneksin prej 300 faqeve të tjera, ku ishin përmbledhur argumentet për pavarësinë e vendit.

Kontaktet me ekipin e avokatëve ndërkombëtarë, të udhëhequr nga Vud, sipas Beiqirit, kanë qenë vazhdimisht në agjendën e Ministrisë së Jashtme.

“Ne kemi qenë në kontakte të vazhdueshme me ekipin e avokatëve. Ju e dini që është një ekip i shkëlqyer i avokatëve ndërkombëtarë që po merret me këtë çështje”.

“Takimet dhe kontaktet kanë qenë intensive - i gjithë rezultati do të duket më 1 dhjetor”,
thekson Beqiri duke shtuar se reagimet pozitive ndërkombëtare për ecurinë e zgjedhjeve lokale të së dielës në Kosovë do të jenë një ndihmesë për vendin gjatë procesit në Hagë.

Kështu pohon dhe analisti për çështje politike, Shkëlzen Maliqi.

Ai thotë se vendimi final i gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do të jetë i rëndësishëm sikurse në aspektin e njohjes së shtetësisë së Kosovës, ashtu edhe në aspektin më të gjerë ndërkombëtar.

Maliqi parasheh që vendimi final të mos jetë i prerë, por të gjykojë që shpallja e pavarësisë së Kosovës të jetë rast i veçantë, i cili nuk mund të përdoret si precedent për rastet e tjera në botë.

“Vetë verdikti i Gjykatës Ndërkombëtare do të jetë i rëndësishëm në atë se a do të mund të shfrytëzohet rasti i Kosovës si precedent, apo do të merret një vendim i vetë kësaj gjykate si një rast i veçantë, i cili nuk mund të përcillet në situata të ngjashme”, thekson Maliqi.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të mbajë dëgjime publike për çështjen e ligjshmërisë së aktit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga e marta, më 1 dhjetor, deri të premten, më 11 dhjetor 2009.

Përveç Kosovës dhe Serbisë, në procedurën gojore para gjykatës do të marrin pjesë edhe 29 shtete të tjera.
XS
SM
MD
LG