Ndërlidhjet

Vaksinat në dhjetor


Në Kosovë deri më tash janë 54 raste të infektimit me atë që tashmë njihet si grip i derrit. Vaksinat e para kundër virusit A/H1N1, të premtuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Qeveria e Kosovës pritet të arrijnë në fillim të muajit dhjetor.


Autoritetet shëndetësore thonë se është i mjaftueshëm numri prej 700 mijë dozash për trajtimin e të infektuarve, por njëkohësisht kanë kërkuar një ndihmë tjetër nga UNICEF-i.

Jusuf Dedushaj, kryetar i Komitetit Nacional për sëmundje, konfirmon se të 700 mijë vaksinat do të mjaftojnë për qytetarët e Kosovës dhe ky kontingjent pritet të mbërrijë së shpejti në vend.

“Fillimisht Ministria ka marrë qëndrim që t’u thotë qytetarëve të Kosovës që kjo jepet falas dhe nuk duhet ta blejnë qytetarët. 250 mijë doza do t’i sigurojë Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe pritet shumë shpejt të vijnë në vend, kurse rreth 450 mijë doza do t’i sigurojë Qeveria e Kosovës dhe do të jetë sasi e mjaftueshme për qytetarët e Kosovës”, thotë Dedushaj.

Ndërkohë, në Kosovë po vazhdojnë aktivitetet parandaluese ndaj përhapjes së virusit A/H1N1.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHP), Naser Ramadani, pohon se ekipet e epidemiologëve janë vazhdimisht në terren për t’i këshilluar qytetarët dhe mjekët familjarë.

“Këshillat po vazhdojnë, ne ende jemi në teren që të japim këshilla për mjekët e mjekësisë familjare. Qytetarët janë vetëdijesuar në mënyrë të dukshme dhe është ndalur pak fluksi i qytetarëve në Qendrën Klinike Universitare. Tani ata paraqiten nëpër Qendra të Mjekësisë Familjare”.

“Gjendja është e qetë, situata epidemiologjike është nën kontroll. Janë gjithsej 54 raste që nga korriku, të cilat janë të shpërndara në mënyrë sporadike dhe nuk ka ndonjë lidhshmëri, ose brengë se do të mund të shpërthejë ndonjë epidemi në përmasa të mëdha”,
shpjegon Ramadani.

Qytetarët thonë se nuk janë edhe aq të informuar për këtë virus dhe për mënyrat e trajtimit.

Liridona Haziri, qytetare, mendon se nuk duhet frekuentuar shumë vendet ku ka shumë njerëz, për t’iu shmangur bartjes së virusit.

“Kemi informata që është përhapur në Kosovë, por duhet edhe vetë të kemi kujdes, t’u shmangemi vendeve publike”, shprehet kjo qytetare.

Edhe Arben Rexhepi, një tjetër qytetar, nuk është aq i informuar për virusin e ri A/H1N1.

“Nuk jam i informuar fare për gripin e derrit, vetëm përmes mediave çka kam dëgjuar. Mund të mbrohemi vetëm me përdorimin e maskave, tjetër nuk kam dëgjuar”, tregon ky qytetar.

Ndryshe, në Kosovë është shënuar një rast i vdekjes së një personi të infektuar nga virusi A/H1N1.

Viktima ishte një mashkull i moshës rreth 30 vjeç, nga komuna e Drenasit, që ishte sjellë në QKUK i infektuar nga virusi A/H1N1.
XS
SM
MD
LG