Ndërlidhjet

Rritje e pesimizmit politik dhe ekonomik


Sheshi Nënë Tereza në Prishtinë
Sheshi Nënë Tereza në Prishtinë

Rritja e pesimizmit politik dhe rritja e gatishmërisë për të dalë në rrugë për të protestuar përmenden si konkludimet kryesore në raportin e publikuar nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP).

Ky raport, që mban titullin Raporti i Paralajmërimit të Hershëm, është bazuar në intervista të drejtpërdrejta, ku janë përfshirë 1,290 respondentë.

Drejtori i UNDP-së në Kosovë, Parviz Fartash, thotë se statusi politik nuk duket të jetë zgjidhje për çdo gjë, duke marrë parasysh përqindjen e njerëzve që duan të protestojnë në rrugë për çështje ekonomike dhe politike.

“Rritja e pesimizmit politik dhe rritja e gatishmërisë për të dalë në rrugë për të protestuar, jo vetëm për gjendjen e rëndë ekonomike, por edhe për çështje politike, janë po ashtu një shenjë se njerëzit e Kosovës presin më shumë nga institucionet e tyre”.

“Ka një rritje të vogël të kënaqshmërisë me punën e qeverisë, ndërsa rënie të kënaqshëmrisë me punën e Kuvendit dhe të EULEX-it krahasuar me qershorin e këtij viti”.

“Shumica e kosovarëve i shohin çështjet socio-ekonomike, papunësinë dhe varfërinë, si kërcënime kryesore të stabilitetit të Kosovës. Mesazhi që jep populli i Kosovës është: Neve na duhen mundësi punësimi”,
shprehet Fartash, duke shtuar se është brengosëse të shihet se besimi i njerëzve në gjykatat e Kosovës mbetet i ulët në shkallë zhgënjyese.

Ndërkaq, sa i përket pozitës së komunitetit serb, zoti Fartash thotë se vërehen përmirësime në krahasim me raportet e kaluara. Sipas tij, kjo qëndron në rritjen e gatishmërisë së serbëve për të bashkëpunuar me popullatën shumicë.

“Kjo shoqëri duket të jetë në rrugë të drejtë për të arritur përparim më të madh, veçanërisht pasi që numri i serbëve, që janë të gatshëm të punojnë me shqiptarët, ka shënuar rritje”, thotë Fartash.

Raporti gjithashtu shpalos trende interesante lidhur me shqetësimet e qytetarëve, perceptimet dhe atribuimet mbi korrupsionin. Mytaher Haskuka, udhëheqës i sektorit të politikave në UNDP, shpjegon më shumë për gjetjet e raportit.

“Në aspektin e perceptimit të korrupsionit, institucionet më të korruptuara janë: KEK-u dhe Agjencia për Privatizim. Pra, këto shihen si institucione ku ekziston korrupsion i shkallës së lartë”, thotë Haskuka.

Rezultatet e hulumtimit të opinionit publik, të kryer gjatë tetorit 2009, vënë në pah se shkalla e kënaqshmërisë së qytetarëve me punën e institucioneve qeverisëse të Kosovës, ka shënuar rënie të përgjithshme. Mytaher Haskuka thotë:

Në aspektin e kënaqshmërisë me institucionet e ndryshme në Kosovë, ka edhe trende pozitive, edhe trende negative. Por, shumica e trendeve janë përafërsisht sikur ato në muajin qershor. Në këtë aspekt theksohet se gjykatat ende janë institucionet, me të cilat qytetarët më së pakti janë të kënaqur”.

“Policia e Kosovës dhe KFOR-i janë institucionet, me të cilat qytetarët më së shumti janë të kënaqur. Një rënie më të madhe e ka pasur EULEX-i në krahasim me qershorin 2009. Parlamenti i Kosovës ka pasur një rënie, e cila është mbi 3 për qind”,
shpjegon Haskuka.

Raportet e Paralajmërimit të Hershëm përgatiten çdo tre muaj. Rezultatet e prezantuara janë bazuar në analiza statistikore të hulumtimit të opinionit.
XS
SM
MD
LG