Ndërlidhjet

Kraja: Koalicionet të (ri)bëhen, pa e shkelur Kushtetutën


Mehmet Kraja
Mehmet Kraja

"Lëvizjet rreth bërjes ose ribërjes së koalicioneve janë krejtësisht të natyrshme, por është e papranueshme që ato të bëhen duke shkelur Kushtetutën", thotë shkrimtari dhe publicisti Mehmet Kraja.





RADIO EVROPA E LIRË

Zot Kraja, fillimisht, si i vlerësoni zhvillimet e fundit politike, konkretisht te koalicioni mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës?

MEHMET KRAJA
Them të drejtën, unë më me qejf do të kisha folur për gjëra tjera, për kulturë, letërsi, për gjëra kësisoj, sesa për politikën. Por, tash kjo është bërë pjesë e pandashme, sepse zhvillimet janë të tilla që realisht edhe ata njerëz që janë të vetëpërjashtuar, ose të përjashtuar prej politikës, deshën s’deshën do të merren me këto zhvillime që ndodhin, sepse atmosfera nuk është e tillë të krijojë një komoditet asisoj që ta përjashtojnë veten nga preokupimet për këto zhvillime.

Unë i kam ndjekur, për aq sa më kanë interesuar dhe nuk më kanë pëlqyer zhvillimet e fundit. Përderisa në zgjedhje u tregua njëfarë kapaciteti demokratik i Kosovës, periudha pas zgjedhjeve dëshmoi disa gjëra, që në esencë flasin për brishtësinë e institucioneve tona, domethënë për paqëndrueshmërinë politike të subjekteve, edhe të institucioneve më të rëndësishme të shtetit.

Kjo paqëndrueshmëri u reflektua menjëherë pas zgjedhjeve. Janë krejt normale këto që mund të ndodhin, domethënë zhbërje e koalicioneve, ribërje e të tjerave; këto janë gjëra krejt normale që mund të ndodhin në çdo shtet demokratik, por mënyra se si deshi të bëhej, ishte jonormale për një arsye të vetme dhe të thjeshtë, sepse kanë rregulla. Demokracia, pavarësisht faktit që ka liri të mjaftueshme, ka liri brenda suazave të ligjit, brenda suazave të Kushtetutës.

Automatikisht u paraqit një problem dhe problemi i shkeljes së Kushtetutës, respektivisht i kontestimit - ajo që nuk mund të pranohej në asnjë rrethanë ishte kontestimi i postit të presidentit, sepse ishte mosnjohje, respektivisht shkelje e Kushtetutës me të dyja këmbët nga PDK-ja, në këtë rast.

Për mua nuk paraqet shumë rëndësi fakti nëse do të bëjë koalicion PDK-ja me LDK-në, apo me AKR-në (Aleanca Kosova e Re), apo me LDD-në (Lidhja Demokratike e Dardanisë) ose këdo qoftë, për mua nuk paraqet ndonjë gjë; për mua është esenciale ajo se duhet të respektohen rregullat e lojës, duhet të respektohet Kushtetuta në radhë të parë, sepse demokracia këtë e ka.

Domethënë që lejon hapësirë manovrimi deri në një shkallë që nuk mund të shpërthehet korniza. Është një kornizë, e cila vendos rregulla dhe jashtë atyre rregullave dhe ligjeve nuk mund të dalë askush.

Situata tani është kjo që është. Mendoj që mund të bëhen analiza të ndryshme. Po e shikuam nga aspekti i asaj që pamë, mund të them që kjo ishte një lojë e vogël, besoj që ishte më shumë një kërcënim, një shantazh mbi LDK-në, një provë për të parë se sa mund të lëvizin këto gjëra, në formën që dikush i sheh si të mundshme jashtë mënyrës së rregullt, jashtë rregullave dhe ligjeve që i përcakton, qoftë demokracia, qoftë loja politike brenda rregullave dhe kornizave të një demokracie të qëndrueshme.

Në rastin tonë kemi mungesë të theksuar të kapaciteteve demokratike. Prishja e këtij koalicioni në radhë të parë nuk i konvenon PDK-së, por nuk i konvenon as LDK-së.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kraja, në shumë komuna të Kosovës qytetarët do të kenë rastin të votojnë sërish për kandidatët për kryetarë, të cilët kanë shkuar në balotazh. Sa mendoni se do të ndikojë balotazhi në rezultatet aktuale?

MEHMET KRAJA
Balotazhet janë në shumicën e komunave, siç e shihni, kanë filluar aty-këtu të bëhen disa koalicione, mendoj që do të ketë ndryshime, veçmas pas këtij blofi të lojës së fundit. Unë konsideroj që PDK-ja ia ka dërguar nja 10 për qind të votave në favor LDK-së. Nëse del kështu, ky është një parashikim imi, mund të mos jetë i saktë, në anën tjetër nuk do të ketë ndonjë ndryshim esencial.

Ajo që nuk më pëlqen dhe që do ta them gjithsesi, në zgjedhjet lokale dhe në diferencimet partiake të elektoratit është bërë një diferencim rajonal, dhe kjo është shqetësuese për mua dhe këtë askush nuk po e ngre tash për tash.

Mbase është shqetësuese vetëm për mua dhe tjerët nuk e shohin kështu - do të doja të ishte ashtu, por nuk do të doja që partitë politike të tërheqin elektoratin në aspektin rajonal, LDK-ja Prishtinën e Podujevën etj, PDK-ja qendrën e Drenicën e disa komuna, AAK-ja Dukagjinin etj.

Kjo ndarje principatash, feudesh, është shumë negative dhe nëse vazhdon kështu, ne do të kemi një konfigurim politik anormal, të shëmtuar natyrisht nëse ndodh kjo, po unë besoj që kjo ndoshta do të tejkalohet gradualisht.

RADIO EVROPA E LIRË

Në krahasim me zgjedhjet e deritashme në Kosovë, zgjedhjet e fundit lokale dëshmuan për një pjesëmarrje më të madhe të komunitetit serb në votime. A do të thotë kjo thyerje e traditës së bojkotit?

MEHMET KRAJA

Ishte një lëvizje. Unë prapë them që serbët nuk ndryshuan pozicion ndaj Kosovës, ata nuk treguan ndonjë lojalitet, as s’do të tregojnë ndonjë lojalitet ndaj Kosovës dhe pavarësisë; nuk do të bëhen qytetarë lojalë të shtetit të pavarur Kosovës, së paku jo për një periudhë të ardhshme. Dalja e tyre në votime është pragmatike, është një veprim me konotacion praktik, jo konotacion politik afatgjatë.

Nuk mendoj që do të ketë ripozicionim të tyre në pikëpamje të lojalitetit ndaj Kosovës, ose ndaj pavarësisë së Kosovës. Ata edhe më tej vazhdojnë të jenë ata që janë, por që e kanë shfrytëzuar këtë situatë, veçmas me Pakon e Ahtisarit, me decentralizimin në komunat e reja, d.m.th. e kanë shfrytëzuar situatën që t’i zgjidhin disa probleme reale që i kanë.

Ndoshta ky është një fillim i mirë se, fundi i fundit, për këtë edhe është bërë edhe decentralizimi dhe komunat e reja. Por, duhet të heq iluzionin se serbët kanë ndryshuar qëndrim në pikëpamje të, thashë, lojalitetit ndaj shtetit të Kosovës.

Ata edhe më tutje do të jenë qytetarë të Kosovës, por që gjithsesi dirigjohen dhe marrin gjithnjë instruksione nga Beogradi, ose shtetësinë e Kosovës e perceptojnë vetëm të tillë sa mund ta bëjnë gjumin e natës aty. Kurse, ditën përsëri do të veprojnë siç kanë vepruar deri tani.
XS
SM
MD
LG