Ndërlidhjet

Irani zbut qëndrimin


Iran - Kompleksi i pasurimit të uraniumit Natanz.
Iran - Kompleksi i pasurimit të uraniumit Natanz.
Ministria e Jashtme në Teheran tha se Irani nuk është kundër që ta dërgojë jashtë vendit uraniumin e pasuruar në nivel të ulët, por dëshiron garanci të qindpërqindta se do ta marrë prapë karburantin bërthamor për reaktorin bërthamor të kërkimeve mjekësore.


Komentet e zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme, Ramin Mehmanparast, duket se janë zbutje e pozicionit të Iranit ndaj propozim-marrëveshjes së Kombeve të Bashkuara, e cila synon që t’i heqë drojat e vendeve të Perëndimit se Irani po përpiqet fshehurazi të zhvillojë armë bërthamore.

Javën e kaluar, ministri i Jashtëm, Manuçer Motaki, u duk sikur do ta hedhë poshtë propozimin e Kombeve të Bashkuara.

Të premten, fuqitë e mëdha i bënë thirrje Teheranit që ta rishqyrtojë dhe ta pranojë propozimin.

Presidenti amerikan, Barak Obama, e ka paralajmëruar Iranin se do të përballet me “pasoja” nëse e refuzon marrëveshjen.

“Askush në Iran asnjëherë nuk ka thënë se ne jemi kundër dërgimit jashtë vendit të uraniumit të pasuruar në shkallën 3.5 për qind”, tha Mehmanparast.

“Nëse, për shembull, shohim 100 % garanci, kjo do të thotë se ne duam që ky uranium të dërgohet jashtë vendit nën kushtet që ne të marrim prapë 20 për qind karburant”, tha zëdhënësi.

Kryenegociatori iranian, Saed Xhalili, i ka thënë televizionit në gjuhën arabe al-Alam se “Republikës Islamike të Iranit i duhen garanci objektive për konvertimin e karburantit për reaktorin e Teheranit”.

Fuqitë perëndimore janë dakord se Irani ka të drejtën të ndërtojë program bërthamor civil, por duan kufizime që Irani të parandalohet nga ndërtimi i armëve bërthamore.

Irani thotë se programi bërthamor i tij ka vetëm qëllime paqësore. (V.P)
XS
SM
MD
LG