Ndërlidhjet

Beogradi, konfuz ndaj Kosovës


Liderët serbë të Kosovës qendrore thonë se politikat e Beogradit ndaj serbëve të Kosovës janë të padefinuara. Në paqartësinë e kësaj politike, sipas tyre, ka ndikuar shtrembërimi i porosive të Beogradit nga ana e disa përfaqësuesve të institucioneve të Serbisë në Kosovë.


Politika e Beogradit zyrtar karshi liderëve serbë të Kosovës, e sidomos atyre që kanë qenë pjesëmarrës në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, reflektohet si e paqartë.

Kështu vlerësojnë disa liderë serbë të Kosovës qendrore, që kanë marrë pjesë në këto zgjedhje.

Ata thonë se kjo paqartësi është shkaktuar edhe për shkak të shtrembërimit të përmbajtjes së porosive të Beogradit zyrtar nga disa përfaqësues të Qeverisë së Serbisë.

Bojan Stojanoviq, nga Partia e Pavarur Liberale, thotë se politikat e Beogradit ndaj serbëve të Kosovës, të cilët, siç thotë ai, kinse e zbatojnë politikën e Beogradit dhe ndaj serbëve të tjerë, që kanë dalë në zgjedhje, janë dy gjëra të ndryshme.

Sipas tij, porositë që ka dërguar Beogradi janë shtrembëruar nga, siç i quan ai, satelitët, të cilët janë të instaluar dhe thirren në mekanizmat e Beogradit.

“Beogradi ka pasur qëndrim të qartë që nga fillimi dhe ai asnjëherë nuk është kërcënuar. Nëse me Beogradin zyrtar nënkuptojmë kryetarin dhe zyrën e kryeministrit, ai asnjëherë nuk ka vepruar në mënyrë represive ndaj serbëve të Kosovës dhe kjo është ajo që e them se disa individë po e shtrembërojnë këtë gjë”.

“Një ministër dhe sekretari i shtetit, janë njerëzit që kanë folur, por ata janë njerëz, të cilët i kanë shpikur dhe krijuar shqiptarët e Kosovës dhe ata një kohë kanë qenë partnerë të politikës së Kosovës”.

“Është treguar se ata kanë qenë të gabuar për shqiptarët e Kosovës, por edhe për Beogradin zyrtar, për shkak se tash janë integruar në institucionet e tij, në mënyrë që të vazhdojnë që t’i realizojnë interesat e tyre personale aty ku kanë mbetur dhe kur më nuk kanë pasur guxim që të luftojnë me proceset që kanë pasuar në Kosovë, pas 17 Shkurtit”,
thotë Stojanoviq.

Se Beogradi po udhëheqë politikë të paqartë ndaj serbëve të Kosovës, vlerëson edhe Momqillo Trajkoviq, lider i Lëvizjes Serbe të Rezistencës.

Por, ai shpreh mendimin se kjo paqartësi rrjedh për shkak të mungesës së strategjisë për Kosovën nga ana e autoriteteve të Beogradit.

“Ka mbetur një pozitë e padefinuar, sepse është më se e dukshme se serbët e Kosovës janë faktor në politikën serbe, por edhe faktorë në Kosovë. Kundërshtimi i përpjekjeve të tyre për autenticitet të pjesshëm, do të ishte i gabuar”.

“Por, gjithashtu, për shkak të qëndrimit që Beogradi ka ndaj Kosovës, do të ishte shumë e rrezikshme edhe përkrahja. Kështu që, politikanëve serbë të Kosovës u ka mbetur që të gjenden brenda kësaj situate”.

“Do të thotë, pavarësisht se qëndrimi i Beogradit për veprimet, të cilat duhet t’i bëjnë serbët e Kosovës, ndonjëherë është mjaft i ashpër, por në një mënyrë, pas përfundimit të veprimit, edhe pse ai nuk përkrahet, megjithatë pranohet”,
pohon Trajkoviq.

Ndryshe, Stojanoviq thekson se pas zgjedhjeve, askush nuk guxon që të nënçmojë rezultatin e arritur nga serbët dhe, sipas tij, nuk mund të ketë kundërshtime lidhur me kredibilitetin dhe legjitimitetin, sepse ky është rezultati më i mirë që është arritur nga serbët që nga viti 1999.

Stojanoviq shpreson se pavarësisht pjesëmarrjes në zgjedhje dhe në institucionet e Kosovës, ndihma e Beogradit zyrtar nuk do të mungojë.

“Natyrisht, unë nuk dyshoj në qëllimet e mira të Beogradit të orientuara drejtpërdrejt për t’i ndihmuar serbët e Kosovës që ata ta realizojnë qëndrimin dhe mbijetesën në këto hapësira”.

“Shpresoj se do të arrijmë deri te kontaktet. Ka paralajmërime dhe indikacione të mira, sepse kemi qëllime të njëjta, si ne që kemi marrë pjesë në këto zgjedhje, po ashtu edhe Beogradi”.

“Ndërkaq, ata që po e turbullojnë ujin, të cilin ne po përpiqemi ta qartësojmë, mendoj se do të përballen me pamëshirën e të dyja anëve dhe, ç’është më e rënda për ta, do të vijnë deri te konfrontimi me popullin e tyre, sepse populli tashmë i ka parë interesat e veta”,
shprehet Stojanoviq.
Por, ndryshe vlerëson Momqillo Trajkoviq, i cili thotë se nuk beson se Serbia do të pozicionohet që t’i ndihmojë serbët që kanë fituar në zgjedhjet lokale të Kosovës, pavarësisht se ka disa parti politike të këtij vendi që e përkrahin një gjë të tillë.

“Për këtë arsye, pozita e Beogradit do të jetë e paqartë, para së gjithash, për shkak se pushteti në Serbi i ka institucionet e veta në Kosovë. Kjo do të thoshte që ata të punojnë në dëm të përfaqësuesve të tyre këtu në Kosovë. Unë pres se do të ketë konfuzion lidhur me këtë çështje”, përfundon Trajkoviq.
XS
SM
MD
LG