Deri më tani, në Kosovë kanë vdekur 7 persona si pasojë e infektimit me virusin A-H1N1, ndërsa thuhet se janë duke u verifikuar edhe dy raste të tjera, për të cilat dyshohet se janë prekur nga ky virus e që kanë ndërruar jetë.
Epidemiologu nga Instituti Kosovar për Shëndetësi Publike, Isuf Dedushaj, thotë se deri më sot, në shkallë vendi, me virusin A-H1N1 janë infektuar 146 persona, ndërsa si të dyshuar janë rreth 13 mijë raste me grip derri dhe grip sezonal.
“Janë konfirmuar 146 raste të prekura nga gripi i derrit dhe është vlerësuar se mbi 13 mijë raste janë raportuar si të dyshimta me gripin sezonal dhe gripin e derrave, në shkallë vendi”.
“Sa u përket rasteve të vdekjeve, deri sot kemi 7 raste të konfirmuara. Për dy rastet që kanë vdekur, presim të verifikohen rezultatet se a kanë pasur grip të derrave apo jo”, thotë Dedushaj.”, thotë Dedushaj.
Nga ana tjetër, drejtori i Klinikës Infektive, Shemsedin Dreshaj, thotë se gjatë 24 orëve të fundit janë hospitalizuar edhe raste të reja si të dyshuara me gripin e derrit.
“Gjatë 24 orëve të fundit janë spitalizuar edhe 9 raste të reja, të dyshimta për influencën H1N1”, thekson Dreshaj.
Ndryshe, në Kosovë tashmë kanë arritur 5 mijë vaksinat e para kundër virusit A-H1N1, të cilat janë donacion i Qeverisë së Turqisë. Por, deri më tash, këto vaksina i kanë marrë vetëm 9 persona.
Epidemiologu Dedushaj thotë se vaksinat nuk janë të dëmshme dhe ato duhet të merren nga mjekët.
“Komiteti nacional ka preferuar, ku janë ekspertë kryesorë për problemin e kësaj vaksine, dhe vaksina duhet dhënë. Ne nuk e dimë se kah lindi kjo ide që të mos merret vaksina dhe kjo është më se keqi kur vjen nga mjekët”.
“Deri më sot janë vaksinuar 9 persona në krye me ministrin e Shëndetësisë dhe drejtorin e OBSH-së në Kosovë. Ne u kemi dhënë afat mjekëve dhe 3 ditë. Nëse ata nuk i marrin vaksinat, atëherë ato vaksina do të kalojnë në kategorinë e dytë”, thotë Dedushaj.
Kurse sa i takon mosvaksinimit të personelit mjekësor, zoti Dreshaj përgjigjet:
“Për momentin nuk kemi asnjë mjek që është deklaruar për marrjen e vaksinës. Ne kemi afat edhe 72 orë që ata vetë të përcaktohen, për shkak se kjo vaksinë nuk prejudikohet përmes ligjit si e domosdoshme”.
“Nga të gjitha masat rekomanduese të OBSH-së, sistemi shëndetësor të gjitha masat i ka akseptuar si të durueshme, si të mira dhe i ka implementuar në vend. Por, vaksina për gripin H1N1 në rang botëror më tepër është etiketuar, sesa që është kultivuar aspekti pozitiv i saj”, shprehet Dreshaj.