Ndërlidhjet

Sadami deshi ta “heshtë” Radion Evropa e Lirë


Ndërtesa e Radios Evropa e Lirë në Pragë.
Ndërtesa e Radios Evropa e Lirë në Pragë.

Ish-regjimi irakian i Sadam Huseinit ka planifikuar sulme me raketa anti-tank kundër Radios Evropa e Lirë. Agjentë e financa ishin dedikuar për sulmin, por rol kyç kishte ambasada e Irakut në Pragë.



Agjencia e kundërzbulimit e Republikës së Çekisë tha se regjimi i Sadam Huseinit ka planifikuar një sulm mbi Radion Evropa e Lirë në vitin 2000.

Radio Evropa e Lirë filloi të transmetojë programe për Irakun në vitin 1998.

Shërbimi Informativ i Sigurisë i Çekisë, i njohur ndryshe si BIS, tha sot se shërbimi sekret i Irakut ka planifikuar të sulmojë selinë e Radios Evropa e Lirë në Pragë me raketa anti-tank RPG-7 nga dritarja e një shtëpie përballë.

Jan Subert, zëdhënës i shërbimit informativ, tha se Sadam Huseini i "kishte dhënë instruksione shërbimit sekret të tij që dhunshëm ta ndërpresin transmetimin për Irakun në Radion Evropa e Lirë dhe pati siguruar resurse të konsiderueshme financiare për operacionin".

Shërbimi çek tha se spiunët irakianë kanë përdorur një makinë diplomatike për të kontrabanduar armët për sulmin.

Autoritetet e Çekisë kanë bërë një protestë diplomatike në vitin 2000 dhe kanë dëbuar disa diplomatë.

Në prill, 2001, Praga e dëboi diplomatin Ahmed Halil Ibrahim Samir Al-Ani, i cili u kap teksa po e vëzhgonte dhe fotografonte selinë e Radios Evropa e Lirë.

Pesë diplomatë të tjerë u dëbuan në mars, 2003, në prag të invazionit amerikan në Irak.

Ambasadori i Irakut në Pragë, Dhia al-Dabas, konfirmoi se regjimi irakian kishte siguruar mjete të konsiderueshme financiare për këtë sulm kundër radios.

Dërgoi agjentë nga Bagdadi nën vello diplomatike. Njëri prej tyre më vonë iku në Vjenë dhe pastaj në Gjermani, ku e zbuloi planin”, tha Dabas.

"Pas rënies së regjimit, një sasi e madhe armësh janë gjetur në ambasadën e Irakut në Pragë. Ishin gjashtë pushkë automatike, 10 pistoleta, armë tjera automatike dhe një granatahedhës. Synimi ishte që të sulmohet ndërtesa e radios me granatahedhës nga një shtëpi përballë, e cila ishte marrë me qira për këtë qëllim", tha ambasadori i Irakut.

Dabas i tha shërbimit irakian të Radios Evropa e Lirë se regjimi i Sadamit ishte thellë i shqetësuar për ndikimin e transmetimeve të radios në vetë Irakun.

"Ne e kemi konfirmuar informatën se regjimi i vjetër seriozisht po përpiqej ta sulmojë radion përmes agjentëve të vet në ambasadën e Irakut në Pragë, e cila ishte një seli e rëndësishme e shërbimit sekret irakian në Evropë. Sadam Huseini përpiqej ta sulmojë këtë radio, e cila përbënte shqetësim të madh për të", tha ambasadori irakian.

Presidenti i Radios Evropa e Lirë, Xhef Gedmin, theksoi se “kjo histori, në mënyrë shumë të gjallë, por të dhembshme, tregon se sa larg janë të gatshëm të shkojnë individët për ta ndërprerë atë që bota demokratike e konsideron se i përket: rrjedhën e informatave të besueshme dhe të sakta”.

Nuk është e qartë se çfarë e shtyri shërbimin informativ të Republikës së Çekisë që informatën ta bëjë publike te henen.

Shtetet e Bashkuara ende nuk i kanë komentuar pohimet e fundit të Çekisë. Por, rasti ka ngritur pyetje se përse çekët kanë pritur kaq shume që ta bëjnë publik komplotin dhe përse kjo nuk ishte në listën e shqetësimeve të Shteteve të Bashkuara kur po përgatiteshin ta sulmojnë Irakun në vitin 2003. (V.P.)
XS
SM
MD
LG