Ndërlidhjet

Dimitrijeviq: Ka të atillë që besojnë në Serbinë e Madhe


Vojin Dimitrijeviq
Vojin Dimitrijeviq

“Gjërat që ekzistojnë gjatë, me kohë pranohen”, thotë për Radion Evropa e Lirë, eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Vojin Dimitrijeviq, duke iu referuar njohjes së Kosovës nga mbi 60 shtete.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Dimitrijeviq, a mund të na thoni nëse argumentet e të dyja palëve në procesin në GJND janë bindëse, apo është ende herët të nxirren përfundime?

VOJIN DIMITRIJEVIQ
Nëse shikojmë nga aspekti juridik, çështja do të jetë shumë interesante, sepse për herë të parë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë do të parashtrohen pyetje, të cilat asnjëherë më parë nuk kanë mundur të bëhen, e ato janë: si është krijuar një shtet i ri, a është legal ose jo krijimi i tij?

Pyetja e dytë është se si është bërë kjo krijesë, të cilën disa vende e kanë pranuar si Republikë e Kosovës, e vendet tjera jo.

A është krijuar ajo si një shprehje e vetëvendosjes së popullit apo është keqpërdorur ndonjë e drejtë nga Rezoluta 12 44, kush vendos për këtë, e të tjera.

RADIO EVROPA E LIRË
Debati është fokusuar në disa pyetje... E para është se a lejon Rezoluta 12 44 të shpallet pavarësia, apo jo?

VOJIN DIMITRIJEVIQ
Që të jem korrekt, të dyja palët mund të thonë se Rezoluta 12 44 nuk është sqaruar deri në fund. Në bazë të kësaj rezolute dhe Marrëveshjes së Kumanovës, është dashur që t’u mundësohet disa organeve serbe të kthehen dhe këtë nuk e kanë bërë.

Në anën tjetër, Rezoluta 12 44 thirret në bisedimet e Rambujesë, konkluzionet e së cilës Serbia asnjëherë nuk i ka miratuar.

Pastaj, janë nxjerrë udhëzime nga rezolutat, që nënkuptojnë mbajtje të referendumit në Kosovë.

A është kjo që ka ndodhur në Parlamentin e Kosovës e barabartë me referendum, a ka mandat Parlamenti i Kosovës të bëjë një gjë të tillë, apo kjo ka rrjedhur nga Rezoluta 1244 dhe është keqpërdorur.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa është real vazhdimi i bisedimeve, në çka insiston Beogradi?

VOJIN DIMITRIJEVIQ
Jo në kuptimin e gjetjes së zgjidhjeve tjera. Disa, madje, thonë se ndoshta në Ballkan do të duhet të mbahet diçka, ngjashëm me Kongresin e Berlinit, që të kuptohen pyetjet dhe problemet e pazgjidhura në parandalimin e konflikteve të ardhshme.

Sepse, siç kemi mësuar nga përvoja, nëse në zgjidhjen e ofruar bëhen vërejtje dhe në momentin kur dikush ndjehet më i fortë, ose më i ofenduar, konfliktet do të shpërthejnë sërish.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë do të kishte zgjidhur, të themi, një kongres si ai i Berlinit?

VOJIN DIMITRIJEVIQ
Po shihet qartë se çështja e Republikës Serbe në Bosnjë lidhet me çështjen e Kosovës. Në disa koka mendohet se kështu do të kompensoheshin.

Ju e dini që në Serbi ekzistojnë njerëz të atillë që ende besojnë në një Serbi të Madhe dhe kështu, së paku, të marrin ato pjesë ku serbët janë shumicë.

RADIO EVROPA E LIRË
Po, por tani, si duket, është vështirë të bëhet një gjë e tillë, duke pasur parasysh që Perëndimi do ta kundërshtojë ndarjen e Bosnjës. Në fakt, sa është reale një gjë e tillë në këtë situatë të krijuar?

VOJIN DIMITRIJEVIQ
Kundërshtime ka edhe për ndarjen e Kosovës, ka pasur edhe ide të atilla, por e keqja është se gjërat nuk po mendohen deri në fund, këto nuk janë zgjidhje të përfunduara. Prandaj, unë po mendoj se i tërë procesi i GJND-së po paraqet disa të drejta, në kuadër të të cilave mund të bëhet diç dhe gjithashtu paraqet një evoluim të pashmangshëm.

Vendet që e përkrahin Serbinë nuk po e bëjnë këtë se u duken përfaqësuesit serbë simpatikë, porse edhe ata në vendet e tyre kanë ndonjë problem të ngjashëm.

RADIO EVROPA E LIRË
A e rregullon e drejta ndërkombëtare çështjen e secesionit, apo jo?

VOJIN DIMITRIJEVIQ
Në këtë kohë, nuk mund të thuhet se kjo fushë është aq e lirë, siç ka qenë më parë, por e drejta ndërkombëtare ka ofruar prova. Nëse diçka ekziston për një kohë të gjatë, ajo do ta pranojë atë dhe, e kundërta, nëse nuk ekziston një gjë për një kohë të gjatë, nuk do ta pranojë.

Ja, për shembull, ka mundur të ekzistojë Republika e Qipros veriore dhe e ka pranuar vetëm një shtet, e kjo ka bërë të duket sikur nuk ekziston fare. Ndërkaq, në këtë rast janë mbi 60 shtete që e kanë pranuar (Kosovën), e të tjerat jo.

Nëse do të shtohej numri i atyre që e pranojnë, atëherë edhe e drejta ndërkombëtare nuk do të thotë që nuk është në pronësi të saj.

Prandaj, në të drejtën ndërkombëtare do të thuhet se gjërat që ekzistojnë gjatë, me kohë pranohen, kjo nuk është risi.
XS
SM
MD
LG