Ndërlidhjet

Si e shohin kosovarët procesin në GJND?


Procesi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, është duke u përcjellë me vëmendje nga kosovarët. Qytetarët shqiptarë dhe serbë thonë se rrjedhat e deritashme të këtij procesi kanë vërtetuar pritjet e tyre.


Rrjedhat e deritashme në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kanë qenë të pritura.

Kështu vlerësojnë qytetarët, shqiptarë dhe serbë të Kosovës, të cilët thonë se janë duke e përcjellë me vëmendje procesin.

Disa qytetarë shqiptarë në Prishtinë shprehin mendimin se argumentimi i ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës, deri më tash është bërë mjaft mirë nga vendet që tashmë e kanë njohur shtetin më të ri në botë.

Ilir Hoxha thotë se ky argumentim e arsyeton edhe faktin se pse ato vende e kanë njohur Kosovën.

“Ata që janë në përkrahje të pavarësisë së Kosovës, kanë mjaft argumente, të cilat edhe i kanë prezantuar dhe në njëfarë mënyre, i kanë arsyetuar vendimet që i kanë marrë për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Unë e pres një proces pozitiv dhe vendimi i gjykatës gjithsesi se do të jetë në favor të pavarësisë së Kosovës”, shprehet Hoxha.

Nezir Gërbeshi thotë se gjatë procesit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë janë duke u shtruar mjaft fakte që arsyetojnë pavarësinë e Kosovës.

“Të them të drejtën, deri më tash, nga vendet që i kam dëgjuar, megjithëse edhe Shqipëria, Bullgaria dhe të gjitha vendet kanë qenë të mira, por përshtypjen më të mirë ma ka lënë Gjermania, me fakte të sakta”.

“Ne jemi të vetëdijshëm se ato vende që nuk na kanë njohur, janë kundër pavarësisë dhe e kemi pritur se ato nuk na e dëshirojnë të mirën. Por, jam i bindur se fitorja do të jetë në krahun e pavarësisë së Kosovës”,
shprehet Gërbeshi.

Ngjashëm thotë edhe Valon Jashari:

“Pjesën më të madhe të seancave, që i kanë transmetuar televizionet lokale në Kosovë, i kam përcjellë. Veçoj më shumë mbrojtjen e Gjermanisë, kurse ato shtete që kundërshtojnë, po dihen, por nuk presim se mund ta vërtetojnë, sepse ne e meritojmë pavarësinë. Pas kësaj, mbetet që do të ketë gjithsesi një ndikim, që të shtohet numri i shteteve që do ta njohin pavarësinë e Kosovës”.

Ndërkaq, Valdrin Kasumaj thekson:

“Së pari, përshtypje për mbrojtje na ka lënë shteti shqiptar. Ka qenë më faktik dhe më bindës. Besoj se edhe përkrahja e Austrisë, Bullgarisë dhe të gjitha shteteve, deri më tash, është për t’u admiruar dhe respektuar”.

“Njëherësh, dihet edhe niveli i shteteve që e përkrahin në këtë rast Serbinë. Janë shtete që nuk e kanë një demokraci të lartë, të zhvilluar. Besoj se edhe Serbia dhe populli i Kosovës e dinë epilogun përfundimtar. Nuk do të jetë vendim i prerë për njërën apo palën tjetër”.


Ndryshe, disa qytetarë serbë në veriun e Mitrovicës thonë se argumentet e shteteve që janë për dhe kundër pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, janë në përputhje me qëndrimet e tyre të deritashme për njohjen e shtetit të Kosovës.

Tanja Vujishiq thotë se nuk pret ndonjë ndryshim deri në fund të procesit, por as ndonjë vendim të prerë nga gjykata, ose këshillë, që do të anonte për ose kundër pavarësisë së Kosovës.

“Unë, vërtet, nuk pres që gjykata do të thotë, thjesht, se shpallja e pavarësisë së Kosovës është legale ose jolegale. Thjesht, nuk mendoj se gjykata do të përcaktojë diçka konkrete”, thotë Vujishiq.

Ndërkaq, Jelena Stankoviq thekson:

“Personalisht, nuk pres ndonjë ndryshim nga rrjedhat e deritashme në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Do të thotë, të gjitha ato vende që e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, gjithsesi se do ta mbrojnë qëndrimin e tyre”.

“Të kundërtën do ta bëjnë ato vende që nuk e kanë njohur atë. Për mua, do të jetë interesante të shihet se çfarë do të ndodhë më 8 dhjetor, kur për herë të parë, pas shumë vjetësh, do të takohen Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia”
.

Ajo shton se pavarësisht këshillës që do të japë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, pavarësia e Kosovës, siç thotë ajo, është krejtësisht e pakthyeshme, sepse Serbia e ka humbur Kosovën dhe është çështje kohe se kur do të pajtohet me këtë fakt.
XS
SM
MD
LG