Ndërlidhjet

BE: U shty vendimi për Maqedoninë


Bashkimi Evropian e ka shtyrë sot vendimin për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Maqedoninë, pasi Greqia fqinje e ka kundërshtuar fillimin e negociatave.

Në një dokument, për të cilin janë pajtuar Ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së, thuhet se Brukseli do ta shqyrtojë këtë çështje përsëri gjatë presidencës së Spanjës, që fillon më 1 janar 2010.

Maqedonia shpresonte se liderët e BE-së do ta përcaktonin datën për fillimin e bisedimeve në samitin e kësaj jave, pasi Komisioni Evropian e mbështeti këtë lëvizje në muajin tetor.

Por, Greqia e kundërshton pranimin e Maqedonisë në BE, për shkak të kontestit për emër.


* * * * * * * * * *

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian nuk kanë arritur mbrëmë të bien dakord për konkluzat për Republikën e Maqedonisë, ndërsa janë pajtuar për të gjitha vendet tjera të Ballkanit Perëndimor dhe vendet e përfshira në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Prandaj, sot, gjatë ditës, do t’iu rikthehen diskutimeve rreth Maqedonisë.

Problem ka qenë formulimi në konkluzat e propozuara nga presidenca suedeze, sipas të cilave, Këshilli i Ministrave do të mirëpriste rekomandimin e Komisionit Evropian për të nisur negociatat me Maqedoninë dhe do të caktonte muajin mars të vitit 2010 si datë kur do të caktohej data për nisjen e këtyre negociatave.

Mirëpo, Greqia, sipas burimeve diplomatike, ka kundërshtuar këtë formulim. Prandaj, sot do të kërkohet kompromisi lidhur me Maqedoninë.

Sa u përket vendeve të tjera të rajonit të Ballkanit, ministrat kanë përshëndetur përparimin e ecjes së këtyre vendeve drejt integrimeve evropiane.

Për Kosovën është thënë se duhet të ketë qasje në më shumë programe të Bashkimit Evropian, ndërsa është kërkuar nga autoritetet në Prishtinë që të fokusohen më shumë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe të bashkëpunojnë me misionin e EULEX-it në Kosovë.

Lajm ka qenë edhe zhbllokimi i marrëveshjes së stabilizim-asociimit të pjesës së saj të përkohshme me Serbinë, pasi që kryeprokurori i Tribunalit të Hagës, Serzh Bramerz, edhe dje ka përsëritur se është i kënaqur me përpjekjet e Serbisë në bashkëpunim me Tribunalin e Hagës.
XS
SM
MD
LG