Ndërlidhjet

Korrupsioni i pandëshkuar


Në Kosovë, korrupsioni ekziston në shumë forma dhe në të gjithë sektorët, prandaj parandalimi dhe luftimi i kësaj dukurie duhet të jetë një çështje parësore për të gjitha institucionet e Kosovës. Kështu u tha sot, me rastin e Ditës ndërkombëtare kundër korrupsionit.




Raportet e Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, që dorëzohen në prokuroritë e Kosovës, nuk po shqyrtohen nga organet e drejtësisë. Kështu tha sot drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni.

“Raportet e agjencisë po hasin në vesh të shurdhër. Nuk po trajtohen. Raporti i AKK-së për vitin 2008 është publik dhe i shihni elementet, se si i trajtoi prokuroria këto informacione. Ka ngritje të aktakuzave, ka fillim të hetimeve penale, por nuk ka gjykime. Në muajin mars kemi një aktakuzë që është ngritur dhe nuk ka asnjë lëvizje nga ajo datë”,
tha Preteni.

Hasan Preteni
Ai nuk deshi të saktësojë numrin e informatave, të cilat janë dorëzuar në prokuroritë e Kosovës, por tha se, në krahasim me vitet e kaluara, numri i rasteve të paraqitura te prokurorët ndërkombëtarë dhe te ata të vendit, është më i madh.

“Numri është më i madh, por, fatkeqësisht, korrupsioni në Kosovë ende nuk është duke u gjykuar. Informacionet vijnë, ato hetohen, por nuk gjykohen. Çdo informacion për parandalimin ose luftimin e korrupsionit trajtohet në mënyrë serioze në agjenci dhe informojmë gjithmonë”, u shpreh Preteni.

Nga ana tjetër, në Ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit, Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian ka organizuar një takim publik, me ç’rast ka paraqitur një studim për korrupsionin në Kosovë për vitin 2009.

Kjartan Bjornson, shef i operacioneve në Zyrën Ndërlidhëse të KE-së, tha se korrupsioni në Kosovë ekziston në shumë forma dhe në të gjithë sektorët.

“Parandalimi dhe luftimi i korrupsionit duhet të jetë rrënjësor dhe të gjitha institucionet kosovare duhet të punojnë në bashkëpunim të ngushtë me njëra-tjetrën”, tha Bjornson.

Ai theksoi se duhet të kthehet besimi i publikut dhe se duhet të rritet rezistenca kundër sjelljes dhe praktikave të korruptuara.

Studimin, i cili është pjesë e projektit për luftën kundër korrupsionit, e ka prezantuar Sllagjana Tasheva, nga Zyra e Komisionit Evropian.

Ajo tha se intervistimi është bërë me zyrtarë të lartë të institucioneve që merren me luftimin e kësaj dukurie. Tasheva tha se studimi vë në pah se qeveria ka shtrirë ndikimin në prokurori dhe gjyqësi.

“Në pyetjen tonë se a vepron prokuroria për interferime të qeverisë, ju po e shihni përgjigjen - 83 % e respondentëve kanë dhenë përgjigje se ka ndikime të forta në punën e prokurorëve”,
shpjegoi Tasheva.

Rekomandimet e studimit janë që të ketë konsolidim të ligjit, duke u ofruar përkrahje institucioneve nacionale kundër korrupsionit.
XS
SM
MD
LG