Ndërlidhjet

Lufta e paefektshme kundër korrupsionit


Drejtues të organizatave joqeveritare vlerësuan se korrupsioni në Kosovë vazhdon të jetë i pranishëm në të gjitha institucionet. Ata thanë se për të ulur shkallën e korrupsionit në vend, duhet të ketë vullnet politik nga drejtuesit e institucioneve. Vlerësimet u bënë në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit.



Mungesa e legjislacionit dhe moszbatueshmëria e planeve strategjike për ta luftuar korrupsionin, kanë bërë që kjo dukuri të jetë e pranishme në të gjitha institucionet, vlerësuan përfaqësues të shoqërisë civile.

Përfaqësuesja e Institutit Demokratik të Kosovës, Merita Mustafa, tha se mekanizmat, të cilët merren me luftën kundër korrupsionit, kanë nevojë për përkrahje.

Sipas saj, sistemi i drejtësisë vazhdon të jetë ndër institucionet më të korruptuara.

“Kosovës sot i mungon Ligji për deklarimin e pasurisë. I mungon Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit. Veçanërisht, i mungon Ligji për financimin e partive politike, i cili ligj është mjaft i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit”.

“Kosovës sot i mungon një strategji dhe plan i mirëfilltë kundër korrupsionit, që do të mund të tregonin qartë se cilët janë sektorët më me prioritet, ku duhet të ndërmerren masa kundër korrupsionit”,
tha Merita Mustafa.

Sipas saj, shkalla e lartë e korrupsionit në vend do të ketë ndikime të mëdha edhe për vonesën e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Por, kryetari i Komisionit Parlamentar për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës, Bahri Hyseni, hodhi poshtë deklaratat e KDI-së, duke thënë se Kosova ka ligje të mjaftueshme për ta luftuar korrupsionin.

“Kosova ka krijuar infrastrukturën ligjore dhe ta bëjmë të qartë për opinionin se ekzistojnë ligje, që e luftojnë dukurinë negative të korrupsionit”.

“Mendoj që në këtë aspekt jemi duke dhënë gjithçka çfarë është e mundur, sepse nuk është e mundur tash t’i krijojmë të gjitha ligjet, sa i mungojnë Kosovës, 500 apo 1000 ligje, brenda një mandati njëvjeçar. Kemi bërë amendamente që shumica e shteteve nuk i kanë”,
sqaroi Hyseni.

Kurse, Ardian Gjini, deputet në Kuvendin e Kosovës nga partia opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kritikoi Qeverinë se ende nuk ka arritur të ketë një vullnet të duhur politik për ta luftuar korrupsionin, që, sipas tij, është i pranishëm kudo.

“Pa pasur vullnet politik serioz, është e kotë. Edhe kjo që po e shohim ne sot, është mungesë totale e vullnetit politik edhe mund t’ju them një shembull: Nëse ne flasim për një problem të korrupsionit në Kosovë dhe kryeministri i Kosovës del dhe thotë se Kosova është vendi më së paku i korruptuar në regjion, unë po ju tregoj që këtu ka vullnet për ta kamufluar problemin”.

“Dhe, këtu është ajo që t’i bëjë njerëzit të mos flasin për këtë punë, e jo ta zgjidhin. Shikoni, vetëm një fjali e vetme tregon se në cilin nivel është vullneti politik”, u
shpreh Gjini.

Nga ana tjetër, drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, vlerësoi se Dita Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit Kosovën e gjen me shumë probleme.

Ai theksoi se në këtë ditë asnjë institucion nuk mund të mburret me punën që ka bërë për uljen e shkallës së korrupsionit.

“Fatkeqësisht, ne nuk kemi se me çka të mburremi në këtë kohë. Mendoj që jemi tek në fillim të kësaj lufte të keqe. Një bazë ligjore është në përfundim e sipër, kurse zbatimi i këtyre ligjeve pret një angazhim shumë më të madh të institucioneve”.

“Këto institucione duhet të fuqizohen, të pavarësohen, të sigurohet buxhet për punën e tyre dhe të kërkohet edhe përgjegjësia nga to”,
theksoi Preteni.

Në anën tjetër, përfaqësues të Lëvizjes “FOL 08”, në bashkëpunim me disa organizata tjera joqeveritare, organizuan një marsh përreth institucioneve që mund ta luftojnë dukurinë e korrupsionit.

Petrit Zogaj, nga kjo organizatë, shpjegoi:

“Duke filluar nga Qeveria e Kosovës, në mënyrë simbolike, dhamë karton të kuq për humbjen e kësaj lufte nga kjo qeveri. Nuk ka të bëjë me luftën konkrete ndaj korrupsionit. Ne, po ashtu, do të japim një dry për Prokurorinë e Kosovës, e cila ka dështuar në hetimin e rasteve kundër korrupsionit
”.

Ndryshe, zyrtarë të Komisionit Evropian në Prishtinë kanë vlerësuar se korrupsioni në Kosovë ekziston në shumë forma dhe në të gjithë sektorët, ndërkaq, sipas tyre, parandalimi dhe luftimi i këtij fenomeni duhet të jetë rrënjësor dhe kërkon bashkëpunim të ngushtë ndërmjet të gjitha institucioneve kosovare.
XS
SM
MD
LG