Ndërlidhjet

Opsionet për veriun


Përfaqësues të Qeverisë së Kosovës nuk përjashtojnë mundësinë që për tri komunat në veri të Kosovës, në të cilat u bojkotuan zgjedhjet lokale të 15 nëntorit nga banorët serbë, të merret vendimi për emërimin e kryetarëve të komunave nga ekzekutivi kosovar. Mirëpo, serbët e veriut të vendit e kundërshtojnë këtë opsion dhe thonë se nuk do të pranojnë asnjë zgjidhje që vjen nga institucionet e shtetit të Kosovës.


Zyrtarë të institucioneve të Kosovës nuk mund të japin një afat të caktuar kohor se kur do të zgjidhet çështja e udhëheqjes komunale në tri komunat me shumicë serbe në veri, në të cilat edhe në zgjedhjet e lokale të nëntorit vazhdoi praktika e bojkotimit nga ana e banorëve serbë.

Ndonëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatet elektorale edhe për Zveçanin, Leposaviqin dhe Zubin-Potokun, kandidatët që udhëheqin në këto komuna kanë arritur të fitojnë një numër minimal të votave, gjë që, siç duket, vë në pikëpyetje legjitimitetin e tyre.

Sipas paralajmërimeve të diplomatëve dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë në vend, kjo çështje do të duhej të zgjidhej pas mbajtjes së raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, më 13 dhjetor.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Kosovë, Sadri Ferati, thotë se institucionet kosovare janë duke u konsultuar me Zyrën Civile Ndërkombëtare dhe mekanizma të tjerë relevantë - konsultime këto, në të cilat, siç thotë ai, nuk përjashtohet asnjë opsion.

Sadri Ferati
“E ka bërë UNMIK-u në një rast, por e kemi bërë edhe ne. Do të thotë, unë si ministër kompetent, kam bërë vazhdimin e mandatit të kryetarëve në të tria komunat – Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok. Pra, në fazën e analizave, nuk ka nevojë që të përjashtohet asnjë solucion”.

“Nuk do të mund të thosha se cili është më i kapshmi, por tani, në fazën e analizave, nuk përjashtojmë asgjë”,
shprehet Ferati, duke iu referuar emërimit të udhëheqësve nëpër këto komuna nga shefi i administratës së UNMIK-ut, në kohën kur serbët bojkotonin zgjedhjet që organizoheshin nën administrimin e Kombeve të Bashkuara.

Sipas rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për kryetar të komunave, ndonëse me përqindje të vogël të votave, kandidatët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës udhëheqin në Zveçan dhe Leposaviq, ndërsa kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës prin në Zubin-Potok.

Mirëpo, përfaqësues të serbëve të veriut të Kosovës thonë se nuk do t’i pranojnë si liderë legjitimë kryetarët e komunave të përcaktuar nga ana e Qeverisë së Kosovës.
...do të dështojnë edhe tentimet që këtu (në veri) të caktohen disa përfaqësues komunalë nga ana e institucioneve të Kosovës, apo EULEX-it.

Kreu i Këshillit Nacional Serb për pjesën veriore të Mitrovicës, Millan Ivanoviq, thotë se shifrat e KQZ-së tregojnë se në votime ka dalë vetëm një numër i shqiptarëve që jetojnë nëpër fshatrat e këtyre komunave.

“Gjithashtu do të dështojnë edhe tentimet që këtu (në veri) të caktohen disa përfaqësues komunalë nga ana e institucioneve të Kosovës, apo EULEX-it”, thekson Ivanoviq.

Përpjekjet e institucioneve kosovare dhe atyre ndërkombëtare për të gjetur një zgjidhje që do të pamundësonte, siç thuhet, krijimin e vakuumit institucional në veri, sipas tij, janë tendenca për krijimin e institucioneve paralele, pasi që të vetmet organe legjitime, nënvizon Ivanoviq, janë ato të dala nga zgjedhjet e Serbisë.

Zgjidhja përfundimtare, sipas ministrit Ferati, duhet të jetë e pranueshme për të gjithë qytetarët e këtyre komunave.

Për shkak të synimit për të realizuar këtë qëllim, sipas tij, nuk mund të dilet shumë shpejt me ndonjë ide konkrete, porse nevojitet kohë.

“Nuk është lehtë që ne të marrim vendim se cili duhet të jetë legjitimiteti i një personi të respektuar, por që ka marrë 30 apo 60 vota dhe të gjitha ato vota i ka vetëm të nacionalitetit të vet”.

“Nuk është në interesin tonë që të segregojmë apo të ndajmë atje, por është në interesin tonë që të bashkojmë dhe të kemi një legjitimitet sa më të fuqishëm të shumicës së qytetarëve atje”,
thekson Ferati.

Ndërkohë, përfaqësues të ICO-së, të cilët, kësaj radhe, nuk deshën ta komentojnë këtë çështje, më parë kishin theksuar se vendimi për ecurinë e mëtejme në tri komunat në veri do të merret pas 13 dhjetorit dhe se ajo zgjidhje duhet bazuar në, siç thuhet, respektimin e plotë të integritetit territorial të Kosovës.
XS
SM
MD
LG