Ndërlidhjet

Novobërda - rast i humbur për serbët


Në zgjedhjet lokale, pas dy raunde votimi, serbët fituan katër komuna, ndërsa e humbën një. Zyrtarët thonë se udhëheqja e komunave është thelbësore për komunitetin serb, ndërsa bojkotimi në disa vende u ka shkaktuar humbje të mëdha.





Në raundin e dytë të zgjedhjeve, kandidati i Partisë së Pavarur Liberale, Bratislav Nikoliq, zgjedhet për kryetar të Shtërpcës, ndërsa për shkak të pjesëmarrjes së vogël të serbëve, humbet komuna e Novobërdës.

Në komunat e reja me shumicë serbe, Graçanicë, Kllokot dhe Ranillugë, në raundin e parë, më 15 nëntor, kanë fituar kandidatët e Partisë së Pavarur Liberale Serbe dhe kandidati i pavarur i komunës së Ranillugut.

Çka nënkuptojnë këto fitore për serbët?

Sllobodan Petroviq, kryetar i Partisë së Pavarur Liberale, shpjegon:

“Nuk e kemi lëshuar shansin që të krijojmë kushte më të mira për komunitetin serb. Ne jemi fitues, ose nuk kemi humbur asgjë, për shkak se morëm pjesë”.

“Përshtypje e veçantë është se në rrethin e dytë për kryetar të Shtërpcës ka dalë deri më tani numri më i madh i votuesve nga komuniteti serb dhe kjo është diçka inkurajuese dhe, në anën tjetër, jep përgjegjësi më të madhe”.

Edhe kreu për Kosovën i Lëvizjes për Rimëkëmbjen Serbe, Rangjel Nojkiq, mendon se me fitoren në komunat e reja, serbët mund të vendosin për fatin e tyre.

Nojkiq thekson rëndësinë që serbët t’i udhëheqin komunat aty ku janë shumicë.

“Kjo do të zgjidhë shumë probleme të serbëve. E, mënyra më e përshtatshme është të zgjidhen nga institucionet e Kosovës, apo të bëhen përpjekje që të gjenden zgjidhje që janë optimale dhe që kënaqin interesat e komunitetit serb”, thekson Nojkiq.

Zgjedhjet në Shtërpcë dhe në Novobërdë kanë qenë të rëndësishme për komunitetin serb, i cili në këto komuna përbën 70 për qind të popullatës.

Po ashtu kanë qenë të rëndësishme, sepse kanë garuar një kandidat shqiptar dhe një serb.

Thirrja e Beogradit zyrtar që serbët e Kosovës t’i bojkotojnë zgjedhjet, ka qenë e suksesshme në veri, por jo edhe në mjediset tjera të Kosovës qendrore.

Megjithatë, pavarësisht faktit se serbët e dinin se me këto zgjedhje Novobërda zgjerohet në një komunë me shumicë serbe, pjesëmarrja e vogël e tyre në zgjedhje, bëri që ta humbin pushtetin.

Kryetar do të jetë Bajrush Ymeri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, i cili ka fituar 80. 9 për qind.

Ndërsa, kandidati i Lidhjes së Pavarur Socialdemokrate, Radovan Deniq, ka marrë 19.1 për qind të votave.

Përfaqësuesit e serbëve shprehen të bindur se banorët lokalë me kohë do t’i kuptojnë se cilat qenë rezultatet e bojkotit.

“Bojkoti do të ketë pasoja për komunën. Unë mund të them se do të mundohemi që t’u ndihmojmë serbëve atje. Por, më me rëndësi do të ishte që ata njerëz të kishin më tepër kurajë dhe të merrnin pjesë, në mënyrë që t’i kishin përfaqësuesit e tyre. Megjithatë, jemi këtu ku jemi”, shprehet Sllobodan Petroviq.

Edhe pse bëhet fjalë për humbjen e vetëm një komune, Nojkiq thekson se është lëshuar rast i madh.

“Ndoshta është më mirë, në mënyrë që njerëzit të kuptojnë çka kanë fituar, e çka kanë humbur, sa për t’i kënaqur interesat e individëve, ndërsa unë mendoj se ishin këto interesa ato që dominuan”, thekson Nojkiq.

Në zgjedhjet lokale, komuniteti serb ka mundur të zgjedhë mes dy drejtimeve - të forcojë aktivitetin e tij politik brenda institucioneve të Kosovës, ose të pranojë bojkotin e kërkuar nga Beogradi.

Edhe pse Qeveria e Serbisë u ka bërë thirrje serbëve që të mos dalin në zgjedhje, sepse ato organizohen nga institucionet e Kosovës së pavarur, shumë subjekte politike të serbëve të Kosovës kanë marrë pjesë, vetëm për të mos e humbur rastin që t’i udhëheqin komunat.
XS
SM
MD
LG