Ndërlidhjet

Siguria e kufijve


Përfaqësues nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, thanë se pas arritjes së marrëveshjes së demarkacionit me Maqedoninë, me kohë do të nisin edhe bisedimet me Malin e Zi. Ata theksuan se nuk parashohin ndonjë problem në këtë drejtim. Ndërkaq, për autoritetet doganore, sfidë mbetet menaxhimi i doganave në veri.



Drejtuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme nuk mundën të përmendin kohën se kur do të nisin bisedimet me autoritetet e Malit të Zi, për përcaktimin e vijës kufitare me këtë shtet.

Ministri i Brendshëm, Zenun Pajaziti, tha se me shtetin e Malit të Zi, kanë bashkëpunim të mirë dhe, sipas tij, me kohë do të nisin edhe bisedimet për demarkacionin e kufirit.

“Nuk kemi filluar ende diçka zyrtare. Nuk shohim ndonjë telash në këtë drejtim. Kemi bashkëpunim të mirë me të gjitha vendet e rajonit”.

“Me Malin e Zi ne presim një proces normal të fillimit të bashkëpunimit dhe ngritjes së marrëdhënieve në nivel politik dhe diplomatik. Ky është një proces normal, ne jemi në një fazë shumë të hershme të shtetit dhe nuk bëhen të gjitha punët njëherësh”,
tha Pajaziti.

Këto komente, ministri i bëri pas takimit që zhvilloi Bordi për Menaxhimin e Integruar të Kufijve, në Prishtinë.

Para pak kohe, zyrtarë të lartë të Mali i Zi patën deklaruar se bisedimet rreth demarkacionit të kufirit me Kosovën, do të mund të fillonin kur të vendoste vetë Prishtina zyrtare.

Autoritetet nga Podgorica patën thënë të kenë bërë gati dokumentacionin për kufirin dhe se kufiri administrativ ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës ishte i përcaktuar në bazë të kadastrës së vitit 1953.

Ndërsa, sipas Planit Ahtisari, çështja e kufirit me vendet fqinje, përveç me Maqedoninë, parashihet të zgjidhet duke marrë parasysh “vijat e dikurshme kufitare” në kuadër të ish-Jugosllavisë, më saktësisht ashtu siç kanë qenë më 31 dhjetor 1988.

Ende pa nisur bisedimet për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, shoqëria civile në Kosovë shpreh dyshimet e veta se Kosovës do t’i merren të paktën 6 mijë e 600 hektarë tokë.

Një sfidë tjetër në rrafshin e kufijve, për institucionet kosovare mbetet edhe funksionimin i duhur i pikave doganore dhe kufitare në veri të Kosovës.

Drejtori i përgjithshëm i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica, tha se pikat kufitare në veri, në krahasim me periudhën e një viti më parë, kanë ndryshuar për të mirë.

“Mund të them se situata është shumë më e mirë sesa para një viti. Ne, sot, atje kemi një prezencë fillimisht nga kolegët tanë që vijnë nga EULEX-i; njësitë tona doganore antikontrabandë, në bashkëpunim edhe me Policinë e Kosovës, që patrullojnë përgjatë tërë zonës nga veriu”, theksoi Huruglica.

Bordi i Menaxhimit të Integruar të Kufijve është themeluar në qershor të këtij vit, në përbërje të përfaqësuesve nga të gjithë sektorët që kanë të bëjnë me menaxhimin e kufijve.
XS
SM
MD
LG