Ndërlidhjet

KQZ: Rivotohet në Prizren e Lipjan


Qytetarët e Prizrenit dhe të Lipjanit duhet t’u drejtohen sërish kutive të votimit për të zgjedhur udhëheqësin e komunës së tyre. Kështu mori vendim KQZ-ja, pas udhëzimit të KZAP-it për të urdhëruar rivotim në këto komuna dhe në Gjilan. Por, vendimi për rivotim eventual në Gjilan, do të merret pas procedurave shtesë të kërkuara nga KQZ-ja.




Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të shpallë rivotim në komunën e Prizrenit dhe atë të Lipjanit, ndërsa për komunën e Gjilanit, shumica e anëtarëve të KQZ-së votuan që, fillimisht të zhvillohen hetime nga përfaqësues të KQZ-së për shkeljet e supozuara elektorale, të rinumërohen votat me kusht dhe pastaj të merret vendimi pro apo kundër përsëritjes së zgjedhjeve lokale për këtë komunë.

Vendimi i KQZ-së erdhi pas diskutimeve intensive dhe pas marrjes së një interpretimi më të hollësishëm nga Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në lidhje me vendimin e 19 dhjetorit të këtij organi.

Kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, tha se të mërkurën do të merret vesh se kur mund të caktohet data për përsëritjen e zgjedhjeve për kryetar komunash në Prizren e Lipjan.

“Neve na nevojitet një plan konkret tani nga sekretariati, se për sa kohë do të mund t’i përgatisë sekretariati të gjitha punët, siç janë, riemërimi i këshillave të vendvotimeve, rishtypja e fletëve të votimeve, trajnimet për këshillat e reja të vendvotimeve, votimi me postë, e kështu me radhë”, tha Lushta.

Të shtunën Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kishte udhëzuar KQZ-në që të urdhërojë rivotimin në tri komunat, për të cilat, pas shqyrtimit të 43 ankesave nga KZAP-i, thuhej se ishin evidentuar shkelje dhe parregullsi të shumta në vendvotime dhe qendrat e votimeve në këto komuna e që, siç thuhet, nuk do të mund të rregulloheshin me anulim të këtyre vendvotimeve.

Sidoqoftë, anëtarët e KQZ-së, pavarësisht disa mospajtimeve në mes të një pjese të anëtarëve të këtij institucioni, arritën në përfundim që të mos vendoset për rivotim për të tri komunat në pako, por që vendimi për këtë proces të bëhet për komunat veç e veç.

Kritikat e një pjese të anëtarëve për mungesë të demokracisë në vendimmarrjen për këtë çështje, u hodhën poshtë nga Lushta.

“Ne besojmë që jemi duke vepruar në mënyrë demokratike, në mënyrë profesionale - ashtu siç e kërkon ligji”, theksoi Lushta.

Votimi për Prizrenin në KQZ, përfundoi me 8 vota për, 2 kundër dhe një abstenim, ndërsa me 7 vota pro, 2 kundër dhe një abstenim u vendos që të shpallet rivotim edhe në Lipjan.

Ndërkohë, në lidhje me shkeljet e shumta elektorale dhe për, siç thuhet, mashtrimet e bëra gjatë rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale të 13 dhjetorit, kreu i KZAP-it, Tahir Rrecaj, në një konferencë të zhvilluar gjatë së martës, tha se përgjegjës kanë qenë edhe komisionarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës edhe ata të Partisë Demokratike të Kosovës.

Për përsëritjen e votimeve për kryetar komune në Prizren, Lipjan dhe Gjilan, KZAP-i, përmes vendimit të fundit i rekomandon KQZ-së të bëjë ndërrimin e komisionarëve të qendrave të votimit në ditën e zgjedhjeve, të shtojë praninë e pjesëtarëve të policisë në të gjitha qendrat e votimit dhe të shtojë mbikëqyrjen gjatë procesit të votimit.
XS
SM
MD
LG