Ndërlidhjet

Përpjekjet për zbardhjen e fatit të të pagjeturve


Përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë pohojnë se janë duke punuar vazhdimisht për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur. Sipas tyre, gjatë tremujorit të fundit, familjarëve u janë dorëzuar 33 trupa. Ndërkaq, përfaqësuesit e EULEX-it thonë se çështja e personave të pagjetur mbetet problem i institucioneve të Kosovës.




Gjatë vitit 2009 janë bërë përpjekje maksimale për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, thonë përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë.

Por, sipas tyre, kjo është një çështje e ndërlikuar dhe që kërkon kohë për t’u zgjidhur.

Ministrja Nekibe Kelmendi konsideron se, megjithatë, muajve të fundit është shënuar progres në identifikimin e disa mbetjeve mortore.

Ajo shpjegon më shumë për gjetjet e fundit:

“Në këtë periudhë janë marrë 375 mostra të reja. Ato i janë dërguar ICMP-së në Sarajevë dhe Tuzllë dhe atë vetëm për Bajina-Bashta dhe Batajnicë, për të cilat vende dyshohet se janë gjetur trupat që presin për t’u identifikuar në Zyrën për Persona të Pagjetur. Gjithashtu, janë kryer edhe 26 ekshumime, ku janë gjetur edhe 33 trupa të rinj”.

Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë, nga 160 mostra të eshtrave, të marra për analizën e ADN-së, 34 prej tyre kanë dalë pozitive.

Ndërkaq, për fatin e 1,890 kosovarëve që nga lufta e fundit në Kosovë nuk dihet ende.

Drejtori i Departamentit për Persona të Zhdukur dhe Mjekësi Ligjore, Arsim Gërxhaliu, thotë se, në veçanti, gjatë periudhës kohore dhjetor 2008-2009 është punuar me intensitet të lartë, për të ndriçuar fatin e personave të pagjetur.

“Gjithsej, operacione fushore janë bërë 135, zhvarrime kanë qenë 78 për këtë vit. Numri i mostrave të marra është 621. Ndërsa, numri i trupave të pajetë të dorëzuar është 80”, shpjegon Gërxhaliu.

Në morgun e Zyrës së Personave të Zhdukur thuhet të jenë identifikuar 154 individë, por, sipas Gërxhaliut, familjarët nuk janë të interesuar për tërheqjen e tyre.

“I kemi 154 trupa në morgun tonë. Me disa prej anëtarëve të familjarëve të tyre jemi në negociata për datën e rivarrimit”.

“Por, në këtë grupim kemi edhe familjarë, të cilët nuk dëshirojnë t’i marrin. Kjo është për faktin se familjarët janë në negociata e sipër me të ashtuquajturit ‘sekserë’, që i shfrytëzojnë tragjeditë e familjarëve dhe ende mendojnë se i kanë të gjallë jashtë Kosovës”,
thotë Gërxhaliu.

Ndërkohë, familjarët e të zhdukurve vazhdojnë të apelojnë tek institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare, për t’i bërë trysni Beogradit që të japë informacione për ndriçimin e fatit të të zhdukurve.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e EULEX-it thonë se çështja e personave të pagjetur është problem që u takon institucioneve të Kosovës.

Alan Robinson, nga Zyra për të Zhdukur dhe Mjekësi Ligjore, thotë:

“Ky është një proces që u takon institucioneve të Kosovës dhe ne i japim mbështetjen tonë”.

“Ndërsa, sa i takon asaj se çka ne do të duhet të bëjmë në të ardhmen, është që duhet të punojnë me shoqërinë civile dhe të gjithë bashkëpjesëmarrësit në këtë proces, me qëllim që të gjejmë informacione të duhura për këtë çështje”.
XS
SM
MD
LG